Komisioni Evropian ka njoftuar ndarjen e 171 milionë eurove për mbështetjen e zhvillimit të infrastrukturës dhe forcimin e sektorit privat në vendet e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, Kosova nuk do të përfitojë nga këto fonde.
Sipas Komisionit Evropian, Kosova ende nuk i ka përmbushur kushtet ligjore për të pranuar pagesa, pasi nuk ka ratifikuar Marrëveshjen e Kredisë dhe Fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor.
“Sa i përket Kosovës, ajo ende nuk ka përmbushur kushtet ligjore për të pranuar pagesa. Prandaj, Kosova nuk mund të përfitojë nga fondet e këtij instrumenti. Shpresojmë që kjo çështje të zgjidhet së shpejti”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.
Nga shuma e përgjithshme e ndarë, 94.7 milionë euro janë të dedikuara për investime infrastrukturore, 76.3 milionë euro për mbështetjen e sektorit privat, ndërsa 2.9 milionë euro për katër projekte të asistencës teknike në Shqipëri dhe Bosnje e Hercegovinë. Këto projekte synojnë përgatitjen e investimeve të ardhshme në sektorët e energjisë, furnizimit me ujë, inovacionit dhe kërkimit.
Sipas KE-së, fondet për projektet infrastrukturore pritet të mobilizojnë rreth 263 milionë euro investime përmes shtatë projekteve në sektorë prioritarë, përfshirë digjitalizimin, energjinë e pastër, kapitalin njerëzor, transportin dhe mbrojtjen e mjedisit.
Projektet konkrete përfshijnë shtrirjen e infrastrukturës së internetit me brez të gjerë në Shqipëri, përmirësimin e sistemit të transmisionit të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut, si dhe ndërtimin dhe rinovimin efikas energjetik të objekteve arsimore në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka theksuar se investimi në vendet e Ballkanit Perëndimor është kyç për afrimin e tyre me Bashkimin Evropian, duke shtuar se këto projekte krijojnë mundësi konkrete për qytetarët dhe forcojnë ndërlidhjen rajonale.
Paketa e re e mbështetjes përfshin kontribute nga Instrumenti për Ndihmë të Para-Anëtarësimit (IPA), donatorë bilateralë përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, si dhe Instrumentin për Reforma dhe Rritje.
Pas miratimit nga Bordi Operativ i Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, projektet do të kalojnë në fazën e zbatimit, duke përfshirë finalizimin e marrëveshjeve përkatëse, nisjen e studimeve përgatitore dhe përmbushjen e procedurave të nevojshme për realizimin e investimeve.






