Bashkimi Evropian përsërit thirrjen për mbajtjen përgjegjës të autorëve të sulmit terrorist në Banjskë, i cili, sipas zyrtarëve të Brukselit, ka kërcënuar seriozisht sigurinë në rajon.
Çështja e përgjegjësisë për Banjskën, dy vite më pas, ka qenë pjesë e bisedimeve që shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas ka zhvilluar në Nju Jork me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Këtë e kanë konfirmuar zyrtarë evropianë, duke nënvizuar se Kallas do të vazhdojë ta ngrejë këtë çështje edhe në margjinat e takimeve të saj me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.
Nga zyra e shtypit të BE-së është bërë e ditur se pritet që autoritetet në Serbi të arrestojnë dhe ndjekin penalisht, para gjykatave serbe, autorët e sulmit që ndodhen në Serbi.
“Ne gjithashtu mbetemi të shqetësuar nga raportet për pjesëmarrjen e autorëve të dyshuar të sulmit në Banjskë gjatë demonstratave në Serbi”, thuhet në një përgjigje me shkrim për RTK-në nga selia e BE-së.
Po ashtu, nga zyra për shtyp e BE-së nënvizohet se, në tetor 2023, Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë i ka përcjellë autoriteteve serbe një kërkesë për ndihmë të ndërsjellë ligjore nga autoritetet e Kosovës lidhur me këtë çështje, ndërsa konfirmohet se ende nuk ka asnjë përgjigje nga Beogradi zyrtar.
Zyrtarët evropianë presin që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me këto kërkesa përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë ligjore./ATVLIVE/