Në gjykimin e të akuzuarve në rastin e vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, në Gjykatën e Prishtinës sot ka dëshmuar bashkëshortja e ve e të ndjerit, Milena Popoviq.
Dëshminë ajo e ka dhënë përmes video-linkut. Në dëshminë e saj, Popoviq rrëfeu se si kishte rrjedhur ngjarja sipas perspektivës së saj në ditën kritike të 16 janarit 2018, kur bashkëshorti i saj u vra përpara selisë së partisë së tij në Mitrovicë.
”E kam telefonuar por nuk është lajmëruar, në një moment është hapur lidhja telefonike dhe e kam dëgjuar një zhurmë që kam menduar se është ndonjë tubim me njerëz, pas një kohe më ka thirrur dikush nga zyra dhe më kanë thënë se Oliveri është rrëzuar dhe është dërguar në spital” – ka deklaruar ajo e përlotur.
Tutje, ajo shpjegoi se si kishte shkuar menjëherë në spital, ku kishte qëndruar deri sa e kishin njoftuar se bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë.
“Aty i kam takuar disa miq, i kam pyetur se çfarë ka ndodhur dhe më kanë treguar se kanë gjuajtur me armë në drejtim të Oliverit” – tha tutje ajo.
Dëshmitarja deklaroi në pyetjen e prokurorit se nuk kishte njohuri se kush e ka vrarë bashkëshortin e saj.
“Po ta kisha ditur unë, do ta kishit ditur edhe ju, edhe e gjithë bota. Qëndroj pas asaj që do të paguajnë të gjithë ata që qëndrojnë pas kësaj” – shtoi Milena Popoviq.
“Dikush këto fjalë do t’i dëgjojë, dhe unë atë ditë që ta kuptoj këtë, unë do ta tregoj dhe do ta drejtoj gishtin nga ai edhe nëse është vëllai im” – ishin fjalët e saj.
Popoviq u përgjigj edhe në lidhje me sulmin fizik që ajo kishte përjetuar gjatë thyerjes së banesës së saj kohë më parë, ngjarje e cila nuk është zbardhur akoma nga drejtësia.“Mua më ka sulmuar fizikisht një person me shuplakë, dhe më ka thënë se kjo është për burrin tënd” – rrëfeu ajo.
Lidhur me këtë, në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, Valon Kurtaj, se a e kishte parë dëshmitarja personin që e kishte sulmuar ndonjëherë jashtë kësaj ngjarjeje, ajo u përgjigj se jo, nuk e ka parë dhe nuk e njeh por se e kujton se ka pasur një theks të serbishtes së Malit të Zi.
Gjatë seancës së sotme u diskutua rreth kamerave të sigurisë që ndodheshin në vendin e ngjarjes – përballë zyrës së të ndjerit, e të cilat në ditën kritike nuk kishin qenë të aktivizuara.
Lidhur me këtë avokati Mahmut Halimi, mbrojtësi i të akuzuarit Marko Roshiq, e pyeti dëshmitaren se sipas njohurive të saj, a kishte lejuar Ivanoviqi që kamerat të mos punojnë në ditët që i paraprinë vrasjes.
Popoviq ishte përgjigjur se “ai nuk kishte lejuar, dhe për këtë arsye janë vendosur këto kamera – që të incizojnë non-stop.”
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, e dyshuar për fikjen e kamerave në ditën kritike është e akuzuara Silvana Arsoviq, sekretarja e Oliver Ivanoviqit.Në pyetjen e trupit gjykues për raportet mes Ivanoviqit dhe Arsoviqit, dëshmitarja deklaroi se kanë pasur raporte shumë të ngushta.
“Kanë pasur raporte vëllazërore, si vëllai me motër… Ajo ka qenë dora e tij e djathtë” – tha Popoviq.Ndër të tjera, dëshmitarja deklaroi se të akuzuarit në këtë procedurë nuk i njeh, përveç Arsoviqit, për të cilën u shpreh se është padrejtësi e madhe se po akuzohet me një akuzë të tillë.
Kurse rreth Milan Radojiçiqit, i cili është i përfshirë në akuza por që gjendet në arrati, dëshmitarja tha se ky i fundit me Ivanoviqin kanë qenë kundërshtarë politikë.
Trupi gjykues i parashtroi pyetje edhe rreth makinës, targat e së cilës pas vrasjes së Ivanoviqit janë gjetur të shkruara në një letër në kuletën e tij.
Pas hetimeve është konstatuar se kjo makinë i përkiste të akuzuarit Marko Rashiq.“Në kuletën e tij e kam gjetur një letër që ai e ka shënuar gjatë një ngjarje që ka ndodhur në zyrën e tij kur ka vizituar A.S, unë kam vërejtur një veturë që shpesh kalonte aty pranë dhe shpesh ishte e parkuar aty, ai besoj që e ka shënuar regjistrimin e asaj veture” – ishte shprehur ajo rreth kësaj çështjeje.
Lidhur me këtë, avokati mbrojtës i Marko Roshiqit, Muhamet Halimi, ka thënë se nuk e kontestojnë që makina në fjalë ishte pronë e familjes Roshiq.
Halimi iu drejtua dëshmitares me pyetjen se a ka qenë ajo në dijeni se banesa e të mbrojturit të tij është rreth 100 metra nga selia e partisë dhe se rruga ku është parë makina, është rrugë e përditshme e qarkullimit për të akuzuarin. Popoviq u përgjigj se nuk e njeh personalisht të akuzuarin dhe se nuk ka njohuri se ku i njëjti jeton.
Edhe pse gjykimi ishte i hapur për publikun, trupi gjykues kërkoi që mediat të fikin kamerat, të ndalojnë incizimin dhe fotografimin e dëshmisë për shkak të ndjeshmërisë së rastit.
Seancat e radhës janë caktuar të mbahen më 31 korrik, dhe 1 dhe 2 gusht.Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radojiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Së fundmi për këtë rast është arrestuar Milan Mihajloviq i cili është i njohur me emrin “Popi”. Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.
Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e Oliver Ivanoviqit.Politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq, u vra më 16 janar të vitit 2018 para hyrjes së objektit të partisë së tij.