Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka zhvilluar të enjten një takim me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ku u diskutua për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Prishtinës dhe Francës.
Gjatë takimit, palët u fokusuan në fusha me interes të përbashkët, si arsimi, kultura dhe zhvillimi urban, duke theksuar rëndësinë e projekteve të përbashkëta për të ardhmen e qytetit.
Rama vlerësoi lartë raportet me Francën, duke nënvizuar se ky partneritet ka një rol të rëndësishëm jo vetëm për Kryeqytetin, por edhe për Kosovën në tërësi.
Ai bëri të ditur përmes një postimi në Facebook se partneritetet afatgjata kontribuojnë në ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe hapin mundësi të reja për qytetarët e Prishtinës.
“Bashkëpunimi me Francën mbetet një partneritet i rëndësishëm për Kryeqytetin dhe Kosovën. Sot pata kënaqësinë të pres Ambasadorin e Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot, me të cilin biseduam për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët”, ka shkruar Rama.






