Barcelona blindon Raphinhan, braziliani rinovon kontratën deri në vitin 2030

Barcelona ka arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës me sulmuesin brazilian Raphinha, i cili pritet ta zyrtarizojë marrëveshjen e re këtë të enjte, më 5 nëntor.
29-vjeçari do të jetë pjesë e klubit katalunas deri më 30 qershor të vitit 2030, pasi palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit edhe për dy sezone të tjera.
Reklamë
Sipas mediumit spanjoll Sport, marrëveshja ishte arritur prej disa javësh, pas një takimi mes drejtorit sportiv Deco dhe futbollistit. Zyrtarizimi ishte shtyrë vetëm për shkak të koordinimit të agjendave të të dyja palëve.
Rinovimi vjen pas paraqitjeve fantastike të brazilianit, i cili këtë sezon ka realizuar 19 gola në të gjitha garat. Ai së fundmi ishte protagonist edhe ndaj Aston Villas, duke shënuar dy herë në fitoren 3-0 në Ligën e Kampionëve.
Në total, Raphinha ka regjistruar 94 gola në 190 paraqitje me fanellën e Barcelonës, duke u shndërruar në një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës së Hansi Flickut.
Përveç kontributit në sulm, braziliani është edhe një prej liderëve të ekipit, ku mban përgjegjësinë e kapitenit dhe luan rol të rëndësishëm në sistemin taktik të trajnerit gjerman.
Me këtë marrëveshje, Barcelona siguron vazhdimësinë e një prej yjeve të saj kryesorë, ndërsa Raphinha do të vazhdojë të jetë pjesë e projektit katalunas deri në vitin 2030.
Reklamë










