Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, i është drejtuar me një letë familjes Jashari, duke kërkuar nga ta që të ofrojnë një kandidat për president të vendit.
Bahtiri në letrën e tij, ka shkruar se Jasharajt janë e vetmja alternativë që ‘’mund të shërojë këtë ngërç’’, dhe ta ‘’kthejë dinjitetin’’ në presidencë.
Ndryshe, javë më parë Murat Jashari kishte hedhur poshtë mundësitë që ai apo dikush nga kjo familje të marrë këtë pozitë shtetërore.
Postimi i plotë Bahtirit:
LETËR E HAPUR PËR FAMILJEN JASHARI
Të nderuar trashëgimtarë të familjes së Shaban Jasharit,
E nderuara Familje Emblematike e kombit tonë,
Po ju drejtohem me këtë letër të hapur, jo vetëm si deputet i zgjedhur i popullit, por si një qytetar që ndjen peshën e rëndë të përgjegjësisë para historisë dhe të ardhmes. Kosova sot gjendet në një udhëkryq të rrezikshëm. Që nga fillimi i vitit 2025, vendi ynë është zhytur në një rrethanë të palakmueshme që po godet themelet e shtetësisë sonë:
• Vakumi Kushtetues: Me përfundimin e mandatit të Presidentes Osmani më 4 prill, vendi po mbetet pa kryefjalën e unitetit. Ky nuk është thjesht një tranzicion ligjor, por një rrezik për bllokim total të institucioneve.
• Ngërçi Diplomatik: Kosova po përballet me një izolim të heshtur dhe presione të paprecedenta që po cenojnë sovranitetin tonë.
• Plagët Ekonomike dhe Migrimi: Pasiguria politike ka prodhuar një rënie të besimit, duke nxitur largimin e rinisë, motorit të këtij vendi që familja juaj e shenjtë e çliroi me gjak.
• Polarizimi i Skajshëm: Skena jonë politike është ndarë në taborre që shpesh harrojnë interesin kombëtar përballë atij partiak.
Në këtë terr politik, sytë e popullit kthehen natyrshëm drejt Prekazit. Kur institucionet lëkunden, themelet janë ato që na mbajnë në këmbë. Familja Jashari nuk është thjesht një emër; është vetë institucioni i moralit, i sakrificës dhe i unitetit të pakontestueshëm shqiptar; është institucion i besueshmërisë e kurrë i tradhëtisë.
Prandaj, sot, me përulësinë më të madhe dhe me bindjen më të lartë atdhetare, ju bëj thirrje: Kosovës i duhet një JASHAR🇽🇰 në krye të shtetit; njerëz të fjalës, të besës dhe qëndresës.
Ju kërkojmë që, ashtu siç i bëtë nderin më të madh historisë duke i dhënë lirinë, t’i bëni sot nderin e radhës Republikës duke ofruar një kandidat nga familja juaj për President të Republikës së Kosovës. Ju jeni e vetmja alternativë që mund të shërojë këtë ngërç, të kthejë dinjitetin në Presidencë dhe të bashkojë popullin rreth një figure që nuk e ndan, por e lartëson Kosovën.
Në këto kohë rrethimesh moderne, na duhet dikush që fjalën e ka burrërore dhe veprën atdhetare. Prania juaj në krye të shtetit do të ishte garancia më e madhe për aleatët tanë dhe mesazhi më i qartë për armiqtë tanë se Kosova është e pathyeshme.
Me respektin dhe nderimin më të lartë,
Agim Bahtiri
Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës






