Babai i 8-vjeçarit që i shpëtoi aksidentit tragjik të dy ditëve më parë në zonën e ish Kënetës në Durrës ka treguar gjendjen e të birit, i cili ndodhet në spital në Tiranë.
Në një intervistë për emisionin “Me Zemër të Hapur” të moderatores dhe autores Evis Ahmeti, ai tregoi se i biri ka pësuar dëmtime në pjesën e legenit, në këmbë si edhe në pjesën e mushkërive.
I ati theksoi se 8-vjeçari kërkon shokët dhe se mendon që ata janë gjallë. Për momentin e aksidentit, ai shtoi se i biri ka treguar se nuk mban mend asgjë por vetëm shoferin që lëvizte me shpejtësi të lartë.
“Kam marrë çunin dhe jam nisur për Tiranë sepse spitali i Durrësit më nisi për në Tiranë. Djali komunikonte, por kërkonte shokët…ndërsa fëmija i katërt nuk ishte prekur nga makina ka shpëtuar , ishte në anë të biçikletës.. djalin e nxorën nga reanimacioni dhe e kanë shtruar në dhomë më vetë…Është shumë i rënduar. Pyeste vetëm për kushëririn, a është vrarë si mua…
Unë i nxora një foto që kishin arrestuar personin , e mbante mend. Vetëm atë mbante mend. Ka marrë dëmtim në pjesën e legenit që ka një thyerje, dhe tek këmba. Po ashtu i kanë vendosur një shtizë, ka edhe dëmtim te pjesa e mushkërive…Nuk mbante mend asgjë, vetëm thotë që ishte shumë shpejt makina…Pranë djalit tani është motra e zotërisë”, u shpreh ai.
Sa i përket autorit, babai i 8-vjeçarit tha se ka qenë gjithmonë problematik si me shpejtësinë, po ashtu edhe me alkoolin.
“Ai ka qenë gjithmonë problematik, gjithmonë kemi bërë raportime në polici. Ka qenë gjithmonë problematik me shpejtësinë, por edhe me alkoolin.”, theksoi babai i 8-vjeçarit.
Gjithashtu ai u ndal edhe te ndjesa publike që kanë bërë familjarë të autorit të aksidentit tragjik, duke u shprehur: “Nuk më duhet ndjesa”.





