Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Korporata Energjetike e Kosovës e ka ndalur prodhimin në njësinë B2 të termocentralit Kosova B, të mërkurën mbrëma, për shkak të problemeve teknike.
ATV-ja ka mësuar se shkak për këtë ishte një rrjedhje e brendshme dhe deri më tani nuk ka një afat për rikthimin e saj në funksion.
Aktualisht, sipas zëdhënësit të KEDS-it, Lulzim Krasniqi, prodhimi vendor mbulon vetëm gjysmën e nevojës për konsum.
“Së fundmi është rëndu situata për shkak të konsumit nga konsumatorët tanë, por edhe rritjes së çmimit të energjisë në bezhën ndërkombëtare. Aktualisht, kemi një prodhim vendor prej rreth 450 megavat për orë, ndërkaq në anën tjetër konsumi u rrit për 18 %, se deri në 900 megavat në kohën e pikut të kërkesës së konsumit të saj”, tha Krasniqi.
Në këto rrethana, sipas Krasniqit, furnizimi i pandërprerë me energji elektrike është i varur nga importi me çmime të larta.
“Kemi rritje të çmimit, është paguar deri në 700 euro për megavat në orë ndërkaq pritet të importohen 1.5 milion euro në ditë”, tha Krasniqi.
Rrjedhimisht, sipas tij, edhe faturat e energjisë elektrike pritet të jenë më të larta se zakonisht.
Sipas programit për zbatimin e strategjisë së energjisë, këtë vit, për rehabilitimin e thellë të dy njësive prodhuese në termocentralet Kosova A dhe B, do të duhej të investoheshin rreth 200 milionë euro, por asnjëri nga dy projektet nuk ka nisur.
Për këtë gjendje, sipas Kryetarit të Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, fajin e ka qeverisja aktuale.
“Krejt kjo po pason në xhepin e qytetarëve, ata që po dëmtohen financiarisht janë qytetarët, vjetërsia e tyre dihet, defekte të tilla janë të pritshme, kjo qeveri ka dështuar në realizimin e mirëmbajtjes apo investimeve në termocentrale…”, tha Shala.
Megjithatë, të paktën deri në transmetimin e kësaj kronike, KEK-u nuk dha detaje për arsyet e ndaljes së prodhimit e as se kur pritet të kthehet në prodhim njësia B2.