Kolegji AAB

AVONET dhe 13 organizata kërkojnë ndërhyrjen e Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit

AVONET, së bashku me 13 organizata të tjera të shoqërisë civile, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me kërkesë për të vlerësuar nëse Aktgjykimi KO124/25 është zbatuar siç duhet në lidhje me afatin për konstituimin e Kuvendit.

Kërkesa është paraqitur pas zhvillimeve të fundit në procesin e konstituimit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026.

Sipas organizatave nënshkruese, afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht, ndërsa seanca konstituive e mbajtur më 6 gusht nuk ka përfunduar me zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit.

Në deklaratën për media, AVONET thekson se mbajtja e një seance që nuk përfundon me zgjedhjen e këtyre organeve nuk mund të konsiderohet si konstituim i plotë i Kuvendit, duke iu referuar përcaktimeve të Aktgjykimit KO124/25.

Organizatat kanë vënë në dukje edhe faktin se vazhdimi i seancës ishte caktuar për 8 gusht, një ditë pas përfundimit të afatit 30-ditor.

Përmes kërkesës së tyre, ato i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë nëse aktgjykimi është zbatuar në përputhje me përcaktimet e tij dhe brenda afatit të përcaktuar.

Kërkesa është bazuar në Rregullin 60 të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton procedurën për rastet kur pretendohet moszbatimi i një vendimi të Gjykatës.

Në rast se konstatohet moszbatim, AVONET dhe organizatat nënshkruese kërkojnë që Gjykata të ndërmarrë masat e parapara me rregullore, përfshirë nxjerrjen e aktvendimit për moszbatim apo mospërmbarim, si dhe veprime të tjera që mund t’i konsiderojë të nevojshme.

Sipas tyre, çështja është me rëndësi për funksionimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet dhe për respektimin e rendit kushtetues.

“Qëllimi është të sigurohet qartësi juridike dhe institucionale lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në deklaratën e organizatave.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA