Autoritetet australiane kanë mbyllur dhjetëra plazhe përgjatë bregdetit lindor të shtetit të New South Wales pas katër sulmeve të konfirmuara nga peshkaqenët që nga fundjava.
Sulmi i fundit u regjistrua të martën pranë Port Macquarie, rreth 400 kilometra në veri të Sydneyt, ku një surfist 39-vjeçar u kafshua nga një peshkaqen, por i shpëtoi plagëve të rënda, raporton Aljazeera.
Në Sydney, një 27-vjeçar mbeti në gjendje kritike pas një sulmi në Manly Beach, ndërsa një tjetër sërfist i ri i shpëtoi për pak një sulmi në Dee Why. Të dielën, një fëmijë 12-vjeçar u plagos rëndë në një plazh të Sydneyt lindor.
Autoritetet e shpëtimit u kanë bërë thirrje qytetarëve të shmangin detin, duke paralajmëruar se kushtet janë të rrezikshme.
Ekspertët thonë se reshjet e dendura të shiut kanë krijuar ujëra të turbullta dhe kanë tërhequr peshkaqenët pranë bregut, duke rritur rrezikun e sulmeve gjatë sezonit të verës.






