Audi po përgatitet për një transformim të rëndësishëm në dizajn, i cili do të zbatohet gradualisht në të gjithë gamën e modeleve të saj në vitet e ardhshme.
Gjeneratat e reja të automjeteve Audi do të dallohen nga një grilë radiatori më e ngushtë dhe e theksuar vertikalisht, element ky që u prezantua fillimisht me konceptin Audi Concept C.
Shefi i dizajnit të Audi-t, Massimo Fraskella, ka konfirmuar për revistën Auto Motor und Sport se kjo zgjidhje stilistike do të bëhet pjesë e të gjitha modeleve të ardhshme të markës, megjithatë e përshtatur sipas karakterit dhe segmentit të secilit automjet.
Kjo do të thotë se grila nuk do të jetë identike në makinat kompakte, sportive apo SUV, por të gjitha do të ndajnë një gjuhë të përbashkët dizajni që do të forcojë identitetin vizual të markës.
“Ne kemi zhvilluar elementë dizajni që mund të përdoren në mënyrë fleksibile. Në varësi të segmentit, modelet do të dallohen qartë nga njëra tjetra nga makinat sportive deri te SUV-të por do të lidhen nga e njëjta ide bazë”, ka shpjeguar Fraskella.
Sipas Audi-t, orientimi drejt elementëve vertikalë në dizajnin e grilës ka rritur dallueshmërinë e markës krahasuar me konkurrentët, të cilët kryesisht përdorin grila të gjera horizontale.
Ky drejtim i ri dizajni pritet të jetë lehtësisht i identifikueshëm dhe dukshëm i ndryshëm nga markat e tjera premium, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të pritet nga klientët në tregun real. /Indeksonline/







