Situata e Robert Lewandowskit, sulmuesit polak të Barcelonës, po ndiqet me kujdes nga disa klube, teksa kontrata e tij me “Camp Nou” skadon në muajin qershor. Futbollisti ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij dhe pritet që çdo vendim të merret pas zhvillimit të zgjedhjeve për presidentin e klubit katalanas.
Këtë sezon, Lewandowski ka shënuar 13 gola dhe ka dhuruar tri asistime në 28 ndeshje zyrtare, duke treguar se mbetet një lojtar kyç për Barcelonën. Edhe pse po i afrohet moshës 38-vjeçare, ai ruan një formë fizike të shkëlqyer dhe instinkt të spikatur para portës, duke dëshmuar se është ende një sulmues me vlerë të lartë.
Për këtë arsye, drejtuesit e klubit dhe vetë lojtari po shqyrtojnë mundësinë e rinovimit të kontratës. Megjithatë, çdo ofertë konkrete dhe përgjigjja e Lewandowskit do të shtyhen deri pas 15 marsit, kur pritet të përfundojnë proceset zgjedhore në klub.
Në rast se vendos të largohet, destinacioni më i mundshëm për momentin duket të jetë Chicago Fire në Major League Soccer, i cili ka ndërmarrë hapat më konkretë për transferimin e sulmuesit, i cili nuk ka fshehur dëshirën për të provuar eksperiencën amerikane.
Sipas raportimeve, edhe Atletico Madrid, Milan, Fenerbahçe dhe disa klube nga Arabia Saudite po monitorojnë situatën e tij. Megjithatë, për Lewandowskin, prioritet mbetet qëndrimi në Barcelonë.
Në këtë fazë të karrierës, aspekti financiar nuk është vendimtar; ai i kushton më shumë rëndësi stabilitetit dhe mirëqenies familjare. Nëse oferta e rinovimit, edhe me kushte të reduktuara, do të jetë në përputhje me kontributin dhe statusin e tij, sulmuesi pritet t’i japë përparësi vazhdimit të aventurës me klubin katalanas.






