Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në kuadër të hetimeve për një rast të mëhershëm, njësitet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) kanë intervistuar sot një person në cilësinë e të dyshuarit për disa vepra penale që lidhen me tjetërsimin e kundërligjshëm të një prone në Ferizaj.
Sipas policisë, bëhet fjalë për personin me inicialet B.L., i lindur në vitin 1990, i cili dyshohet se në bashkëveprim me persona të tjerë ka kryer veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.
“Sot më datën 02.04.2026 është intervistuar personi B.L., (1990) në cilësinë e të dyshuarit, pasi që dyshohet që në bashkëveprim edhe me persona të tjerë kanë kryer veprat penale ‘Mashtrimi’, ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Legalizimi i përmbajtjes së rreme’.”
Hetimet kanë zbuluar se të dyshuarit kanë përdorur dokumente të falsifikuara për të përvetësuar një pronë me vlerë të konsiderueshme.
“Ekziston dyshimi i bazuar se personat e dyshuar, duke falsifikuar dokumentet e identifikimit dhe certifikatën e pronës së palës ankuese, kanë arritur të tjetërsojnë në mënyrë të kundërligjshme pronën e tij me sipërfaqe prej shtatë hektarësh në vlerë të përafërt të tregut rreth tre (3) milion euro, e cila gjendet në komunën e Ferizajt.”
Sipas njoftimit, prona më pas është parcelizuar dhe shitur te persona të tretë.
“Të njëjtën më pas e kanë parcelizuar dhe shitur personave të tretë.”
Në kuadër të hetimeve, policia ka realizuar edhe një bastisje në një lokacion të dyshuar.
“Në bazë të urdhrit për kontroll, është kryer bastisje në një lokacion, ku janë gjetur dhe konfiskuar një telefon mobil dhe dokumente që ndërlidhen me rastin.”
Pas intervistimit, i dyshuari është ndaluar me urdhër të prokurorit.
“Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit i dyshuari ndalohet për 48 orë.”
Policia rikujton se ky nuk është rasti i vetëm i lidhur me këtë hetim, pasi më herët janë arrestuar edhe persona të tjerë.
“Lidhur me këtë rast, me datën 19 shkurt 2026 Policia e Kosovës kishte arrestuar dhe dërguar në mbajtje edhe katër persona tjerë të cilët në bashkëkryerje dyshohet se kanë kryer veprat e lartcekura.”






