Policia e Shtetit në Shqipëri ka zhvilluar një operacion policor të koduar ‘Targat’ që rezultoi me arrestimin e një kosovari, që dyshohet për vjedhje të targave nga veturat shqiptarë, por edhe ato të Kosovës.
Sipas njoftimit, vjedhjet janë kryer në Durrës, ndërsa i dyshuari 36-vjeçar është E.Q.
“Ky shtetas u kap në flagrancë në lagjen nr. 13, Plazh-Durrës, me mjetin tip “Ford”, me targa të vjedhura në lagjen nr. 5, Durrës, në pronësi të shtetasit R. C.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Ford”, në bagazh janë gjetur edhe dy targa të një automjeti nga Kosova, si dhe në sediljen e shoferit janë gjetur kaçavida, pinca, një thikë, një palë doreza dhe një kapuç (i ngjashëm me maskat).
Mjete të cilat dyshohet se ky shtetas i përdorte për kryerjen e vjedhjeve. Sendet e mësipërme u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.” – njoftoi Policia.
Gjithashtu, nga veprimet që ka ndërmarrë Policia, thuhet se kosovari i arrestuar është autor i vjedhjes së targave edhe në dy automjete të tjera, të ndodhura muajt e fundit.






