Arratisja e nëntë nga burgu e Faton Hajrizit

Përgatiti: Driton Sadiku

Muret dhe gjembat nuk ishin problem për Faton Hajrizin, i cili për të nëntën herë arriti të arratiset nga burgu ku po vuante dënimin.

Veçse kësaj here përveç grilave, ai kaloi edhe kufirin e u strehua diku jashtë shtetit, nga ku u paraqit në rrjete sociale.

Hajrizi, i cili kishte mbajtur 17 vjet e gjysmë burg, po mbahej në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, për ta mbajtur edhe pjesën tjetër prej 7 vjet e gjysmë, derisa gëzonte edhe të drejtën për vizita në vikend.

E vendosja në këtë qendër, sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, është bërë për arsye të sjelljeve të mira, të personit në fjalë.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se i dënuari F.H., ka qenë larguar disa herë në të kaluarën nga institucionet korrektuese. Megjithatë, vitet e fundit ka shfaqur sjellje të mira dhe ka respektuar të gjitha rregullat e rendit shtëpiak. I dënuari kishte kërkuar transferim në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, dhe bazuar në raportet profesionale, ai ka treguar sjellje të mira dhe ishte në proces të avancuar të risocializimit”, thuhet në njoftimin nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Sidoqoftë, për ikjen e tij, ndëshkim morën dy zyrtarë të burgut, që u suspenduan.

Pikërisht vendi ku po mbahej, sipas juristëve, ishte fare lehtë i kalueshëm, pasi qendra është e stilit të hapur.

“Lehtësia apo mundësia e ikjes varet nga lloji i qendrës korrektuese. Në rastin e Smrekonicës ne e dimë që është institucion i tipit të hapur, madje nuk do ta quaja ikje, por vetëm largim, sepse është institucioni si i tillë”, tha avokati Valdet Hoxha.

Ndërkaq, njohësi i sigurisë, derisa vlerëson rrezikun që mund të kenë në shoqëri persona të tillë, thotë se burgjet duhet të modernizohen, që të shmangen rastet e tilla.

“Duhet të ketë modernizim dhe ristrukturim në sistemin e burgjeve që në të ardhmen të mos ndodhin gjëra të tilla, dhe një bashkëpunim më i theksuar me organet e ndjekjes për të reaguar dhe për të marrë informacione konkrete në kohë optimale për të parandaluar”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.

Sidoqoftë, nga Shërbimi Korrektues thanë se kanë nisur procedurat hetimore lidhur me rastin, por nuk treguan nëse ka edhe të burgosur të tjerë që janë në arrati.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA