Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka paralajmëruar se arkat fiskale do të bëhen digjitale.
Në një status në Facebook ai ka thënë se tash e sa kohë kanë punuar që të ndryshojmë sistemin e arkave fiskale, nga ato hardwerike siç është aktualisht, në arka fiskale softwerike apo digjitale.
Murati ka deklaruar se të martën është bërë lansimi i sistemit të ri dhe është demonstruar edhe se si funksionon.
“Sistemi i ri që kemi ndërtuar mundëson komunikimin me ofruesit e softwerit përmes API, që nënkupton hapjen e tregut, pra më shumë konkurrencë dhe rrjedhimisht edhe kosto shumë më të lirë të operimit. Pra, mjafton një laptop/kompjuter, dhe një printer termik, që një biznes të mund të lëshojë kuponë fiskalë, pa pasur nevojë të blihen arka fiskale të shtrenjta”, ka shkruar Murati.
“Sistemi i ri gjithashtu mundëson komunikimin edhe me aplikacion që skanon QR kodin e secilit kupon fiskal, duke hapur rrugë për skema të ndryshme nxitëse që shpërblejnë qytetarët të cilët marrin kuponin fiskal”, ka shtuar ai.
Murati ka thënë se do të bëjnë edhe plotësimin e udhëzimit administrativ, për të mundësuar fillimin e pilotimit me sistemin e ri.