Përgatiti: Kastriot Tahiri
Për katër të dënuarit për veprën penale “dhunim”, Gjykata e Apelit mori vendim.
Apeli e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke ua ulur dënimin me burgim 4 të akuzuarve për rastin e dhunimit të 11-vjeçares.
Të akuzuarit, Ekrem Rexhepi, që ishte i dënuar me 14 vjet burgim, dënimi iu ul në 10, ndërkaq, tre të miturve të tjerë, G.R, G.J dhe XH.S, dënimi me burgim iu ul për dy vjet, respektivisht nga 7 në pesë vjet. Atyre do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 28.08.2022 e tutje.
Vendimi është marrë nga gjyqtarët Kymete Kicaj, Beqir Kalludra dhe Abdullah Ahmeti.
Megjithatë, njëri nga mbrojtësit ka thënë se do t’i drejtohet Gjykatës Supreme, ngase beson se shkalla e parë dhe e dytë kanë bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
“Dje e kam pranuar aktgjykimin prej Apelit lidhur me të miturin të cilin e mbroj G.R., për rastin e njohur në publik si 11-vjeçarja, me të cilin aktgjykim është bërë ulja e dënimit në 5 vjet burgim për dy vepra penale, për të cilat është gjetur. Ne si mbrojtje planifikojmë që përmes mjetit të jashtëzakonshëm këtë çështje ta dërgojmë edhe në Gjykatën Supreme, për shkak se gjykatat e dy instancave kanë bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale”, tha Besnik Beqiri, avokat.
Sipas dosjes së Prokurorisë, më 27.08.2022, në intervalin kohor prej orës 18:00 deri 20:00, në parkun e lagjes “Arbëria” në Prishtinë, të miturit G.J. dhe Xh.S. të miturën e kanë takuar rastësisht dhe kanë filluar ta ngacmojnë me fjalë e më pas e kanë dhunuar seksualisht. Viktima dyshohet se po atë ditë ishte dhunuar edhe në afërsi të shtëpisë saj. Pas kësaj, ishte zbuluar se viktima ishte dhunuar edhe më parë, në muajin qershor të po atij viti.