Ndryshimet shoqërore dhe roli në zhvillim i gruas në shoqërinë shqiptare kanë nxitur diskutime të gjera në opinionin publik dhe akademik. Një perspektivë mbi këto zhvillime dha së fundmi sociologu, profesori universitar dhe akademiku nga Malësia e Madhe, Anton K. Berishaj, gjatë një interviste në emisionin “Libero” në ATV.
Gjatë bisedës, Berishaj u ndal veçanërisht te roli i grave në shoqëri, duke theksuar se gratë sot janë duke u pavarësuar dhe nuk e pranojnë më trajtimin e padrejtë. Ai theksoi se dhuna shpesh është pasojë e përpjekjes për të ruajtur një pozitë të vjetër dominimi nga ana e burrave.
“Ajo arsimohet, punësohet, pavarësohet ekonomikisht, nuk është e gatshme më të pajtohet me trajtimin që i bëhet, as nga ana e shoqërisë, as nga familja, as nga burri… Dhe burrat nuk e kanë të lehtë ta përballojnë këtë. Ky civilizim i ri i nxit; është një ndjenjë e humbjes së privilegjit, edhe e jetës në majë të piramidës familjare dhe shoqërore. Rrallë të vret dikush që është i panjohur, që s’ka punë me ty, por të vrasin ata me të cilët ke jetuar, ata që nuk duan të përfillin atë insistimin e atyre me të mbajt në nivelin në të cilin ke qenë me shekuj,” tha Berishaj.
Vlen të theksohet se në vitin 1992 ai themeloi Zyrën e Fondit për Shoqëri të Hapur për Kosovë, më vonë të njohur si Fondacioni Soros dhe KFOS, të cilën e udhëhoqi në cilësinë e koordinatorit deri në luftën e vitit 1999. Gjithashtu autorësinë e akademik Anton K. Berishajt e mbajnë një numër i madh artikujsh shkencorë, libra autorialë dhe bashkautorë, si dhe libra shkollorë.
Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Anton K. Berishaj, klikoni linkun e mëposhtëm: