Shtetasit amerikanë që jetojnë në Kosovë presin një proces zgjedhor demokratik në Shtetet e Bashkuara. Atje nesër votohet për presidentin e ri ndërkaq sondazhet tregojnë për një garë të ngushtë.
Për zgjedhjet presidenciale kandidatë janë Kamala Harris nga Partia Demokratike dhe Donald Trump nga Partia Republikane.
Aaron Sybrant tash e 20 vjet jeton me familje në Krushë të Vogël të Prizrenit.
Megjithatë, ai tregon për KosovaPress se nuk kanë dashur të mungojnë në këtë proces zgjedhor të cilin amerikanët po e konsiderojnë historik.
Ata kanë votuar në mënyrë elektronike.
“Familja ime, bashkëshortja ime dhe unë kemi votuar në mënyrë elektronike përmes një procesi regjistrimi online. Na është dërguar një fletë votimi e siguruar dhe më pas ne e dorëzojmë votimin tonë përmes saj. Dhe për sa i përket zgjedhjeve dhe pritshmërive të mia, mendoj se këtë vit do të jenë vërtet shumë afër dhe nuk jam i sigurt se kush do të fitojë, por thjesht do të besoj dhe besoj në procesin demokratik, që njerëzit e duhur dhe mbështetja e duhur do të jenë përreth për t’i bërë katër vitet e ardhshme katër vitet më të mira që mund të jenë. Pra, do të jetë një [garë] e ngushtë”, tregon ai për KosovaPress.
Ndërkaq, për Caleb Chesnut është hera e tretë që voton nga Kosova për zgjedhjet presidenciale në SHBA.
“Kemi votuar ne më herët. Çdo shtet i ka opsionet e ndryshme, përmes postës kur kemi qenë në Amerikë e bën kërkesën që nuk mundemi me qenë në Amerikë në kohën e zgjedhjeve. Përmes shtetit na dërgojnë votimet dhe përmes postës ose përmes ambasadës këtu”, tregon Caleb.
Amerikani i cili jeton në Orllan tash e dy dekada, tregon për KosovaPress kandidatin e tij të preferuar për president, ku pret se do të zhvillohet ekonomia në Amerikë.
“Janë gjëra të rëndësishme fillimisht për abortin, ligji që është në Amerikë jam kundër kësaj ideje. Edhe kjo është një prej gjërave më të rëndësishme, gati më e rëndësishmja pse votoj. E dyta është se ekonomia në Amerikë është goxha keq, besoj që Trumpi e kthen ekonominë më mirë”, deklaron ai.
Kamala Harris është zëvendëspresidente e Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e demokratit Joe Biden.
Ndërkaq, Trump ishte president i SHBA-së në periudhën 2017-2021./kp