Përgatiti: Arton Hamiti
Kosova s’duhet pasur frikë që draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të propozuar nga bashkësia ndërkombëtare ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Kushtetuesja sipas ambasadorit të Francës në Kosovë, Olivier Guerot është i vetmi mekanizëm që mund të tregojë se në çfarë mase, propozimi ndërkombëtar është në përputhje me të.
“Inkurajojmë autoritetet e Kosovës që vërtetë ta dërgojnë këtë dokument në Gjykatën Kushtetuese. Draft-statuti i propozuar nga BE-ja, mendoj se është plotësisht në pajtim me Kushtetutën. Testi më i mirë siç thashë është dërgimi në gjykatë, që është i vetmi organ që mund ta vërtetojë këtë gjë. Unë mendoj se do të ishte një tregues i mirë i realiteti dhe do t’i përgjigjej të gjitha dilemave”, tha Guerot.
Ambasadori francez, la të kuptohet se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, varet shumë nga hapat që ndërmerr ekzekutivi kosovar pikërisht për themelimit të Asociacionit.
“Vendimi nëse Kosova duhet të jetë anëtare apo jo është vendim që merret me votë të qeverive. Ne rekomanduam që qeveria e Kosovës ta dërgonte në gjykatë draft-statutin e Asociacionit, por qeveria tha se nuk e bën këtë të paktën në këtë fazë, andaj mendoj se vetëm kur ta bëj këtë gjasat që Kosova të jetë anëtare e Këshillit të Evropës do të jenë shumë më të larta”, tha Guerot.
Duke folur rreth situatës në veri të Kosovës dhe posaçërisht sulmin terrorist në Banjskë, ambasadori shtoi se pret veprime nga Serbia që Milan Radojiçiq dhe grupi i tij të dorëzohen.
“Presidenti Macron ka theksuar vazhdimisht nevojën që jo vetëm Radojicic, por të gjithë, autorët e mundshëm dhe të dyshuar të dalin para drejtësisë. Ne i përmbahemi këtij mesazhi dhe sigurisht presim që Serbia ta ndjekë atë”, tha Guerot.
Diplomati francez mes tjerash tha se situata e sigurisë në veri është e brishtë, mirëpo theksoi se KFOR-i dhe EULEX-i, po punojnë për të garantuar paqe.