Albion Rrahmani drejt një hapi të madh në karrierë, klubi italian vihet pas sulmuesit Kosovar

Vera e këtij viti mund të sjellë një kthesë të rëndësishme në karrierën e Albion Rrahmanit. Sulmuesi i Kosovës po vazhdon të tërheqë vëmendjen në tregun evropian të transferimeve, ndërsa interesimi për të po rritet nga dita në ditë.

Pas dy sezoneve të kaluara me Spartën e Pragës, ku regjistroi 26 gola në 83 paraqitje në të gjitha garat, 25-vjeçari është shndërruar në një nga emrat më të kërkuar të futbollistëve kosovarë jashtë vendit.

Sipas raportimeve nga mediat çeke, Venezia është klubi i fundit që ka hyrë seriozisht në garë për shërbimet e tij. Skuadra italiane, e rikthyer së fundmi në elitën e futbollit italian, po kërkon të forcojë repartin ofensiv dhe e konsideron Rrahmanin si një nga objektivat kryesorë për sezonin e ri.

Ndërkohë, Sparta e Pragës nuk pritet të heqë dorë lehtë nga sulmuesi kosovar. Klubi çek raportohet se ka vendosur një çmim prej 8 milionë eurosh për kartonin e tij, ndërsa vlera e lojtarit në treg sipas Transfermarkt vlerësohet rreth 7 milionë euro.

Megjithatë, Venezia nuk është e vetmja skuadër që po monitoron situatën. Emri i Rrahmanit vazhdon të lidhet me disa klube të njohura evropiane, gjë që e bën këtë afat kalimtar një nga më vendimtarët në karrierën e tij.

Një transferim i mundshëm do të ishte lajm i mirë edhe për Rapidin, ish-klubin e sulmuesit, i cili e transferoi atë te Sparta në vitin 2024 për 5 milionë euro, duke ruajtur një përqindje prej 15 për qind nga shitja e ardhshme.

Kujtojmë se gjatë afatit kalimtar të janarit, Rrahmani ishte shumë pranë një kalimi te Lyoni, por marrëveshja në fund nuk u finalizua. Tani, me interesimin që po vjen nga Serie A dhe klube të tjera evropiane, e ardhmja e tij duket se do të jetë një nga temat më të nxehta të merkatos së verës.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA