Në mbledhjen e së martës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pati akuza të ndërsjella mes kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla, dhe atij serb, Marko Gjuriq.
Duke e cilësuar Serbinë si rrezik për tërë rajonin, Gërvalla e kundërshtoi edhe termin “Kosovë dhe Metohi”, që Beogradi e përdor në vazhdimësi.
“Më lejoni tua bëj të qartë që nuk ekziston një ‘Kosovë dhe Metohi’. Kjo është shprehje e qartë e ambicieve hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës. Është gjuha e vjetër e Sllobodan Millosheviqit dhe atyre që e ndjekin atë”, tha Gërvalla.
Ndërsa me vete kishte marrë edhe dëshmi të mesazhevë kërcënuese ndaj Kosovës.
“Në Serbi mund të shihni grafitë murale të mëdha sot ku shkruhet ‘Kur ushtria të kthehet në Kosovë’. Nuk shkruhet ‘nëse’ por ‘kur’. Ata nuk e fshehin qëllimin e vet. Ne jemi në favor të dialogut. Na duhet një dialog i vërtetë dhe jo një mashtrim nga Vuçiqi”, shtoi kryediplomatja.
Në anën tjetër, Gjuriqi u ankua për mbylljen e institucioneve paralele serbe në Kosovë. Ndërsa përmendi edhe armët me të cilat po pajiset FSK-ja.
Në mbledhjen ku u shqyrtua raporti periodik i UNMIK-ut për Kosovën, zëvendës-shefi i këtij misioni përmendi ngërçin politik, por edhe bëri thirrje për gjykim të autorëve të rastit në Banjskë.
I bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve përkatëse në Beograd dhe Prishtinë që të marrin masa efektive dhe trasnparente që të sillen kryesit e asaj ngjarjeje para drejtësisë duke shfrytëzuar edhe kanalet që ekzistojnë tanimë”, tha Shin.
Për dorëzim të Milan Radojçiqit bëri thirrje edhe përfaqësuesja e Britanisë. Kurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan shuarjen e misionit të UNMIK-ut në Kosovë. Në mbledhje folën edhe përfaqësues të shteteve që nuk e njohin Kosovën, që kritikuan autoritetet për veprimet në veri të vendit.
Në linkun më poshtë, mund të ndiqni edicionin e plotë të lajmeve qendrore.