Përgatiti: Kastriot Tahiri
Dritat e amfiteatrit në Pallatin e Rinisë, do të ndizen sërish nesër, por në skenën e improvizuar të Teatrit Kombëtar, prova për shfaqje nuk do të ketë.
Madje edhe ulëset e amfiteatrit nuk do të mbushen me qytetarë, për shfaqjen “Emira”, e cila pritej të kishte premierën të premten, në kuadër të festivalit “Moisiu”. Ngase pakënaqësitë me koeficientin, bënë që nga e hëna në grevë te hynë 22 aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke anuluar kështu të gjitha aktivitetet artistike.
“Pas shterrjes së të gjitha afateve dhe mundësive, pas mos realizimit të kërkesës sonë edhe përmes ndërmjetësuesit, atëherë ne pa vullnetin tonë, konsiderojmë se mbajtja e një greve të përgjthshme është e vetmja formë që tërheq vëmendjen e punëdhënësit që ai të nisë t’i realizojë kërkesat tona”, tha kryetarja e Sindikatës së Aktorëve të TTK-së, Sheqerie Buqaj.
Greva rrezikon edhe anulimin e festivali “Moisu”, që këtë vit Kosova është nikoqire.
Megjithatë nëse Ministria e Kulturës reflekton, festivali edhe mund të shpëtoj.
“Nuk është që nuk ka kohë me shpëtu festivalin, nuk jemi larg kohës, shfaqja është gati, trupat tjera janë zgjedh, po shpresoj që ministria ka me ragu që me shpëtu festivalin”, tha Shkëlzen Veseli, aktor.
“Kur të realizohen kërkesat tona do të mbahet shfaqja, askush nuk e vlerëson atë që ne e bëmë në këtë teatër në institucionin më të madh kulturor”, tha Shengyl Ismajli, aktore.
Deri në realizimin e kërkesave, në vend të aktorëve, në skenë do të qëndroj shprehja e Thomas Jeferson, për të cilën thanë se iu përshtatet më së miri.