Një aksident trafiku me pasoja fatale ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në rrugën Wesley Clark në Gjakovë, rreth orës 23:16.
Sipas informacioneve zyrtare, viktima mashkull kosovar, ka qenë duke drejtuar automjetin e tij me targa vendore kur në një moment ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe ka dalë jashtë rrugës.
Automjeti ka goditur një rrethojë metalike dhe ka përfunduar brenda hapësirës së një restoranti, ku si pasojë e përplasjes shoferi ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Vdekja e tij është konstatuar nga mjeku kujdestar, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkakun e këtij aksidenti tragjik.