Profesorë, ish-akademikë e zyrtarë të lartë, i janë drejtuar me peticion Kuvendit të Kosovës.
Ata kanë kërkuar rezolutë kundër padrejtësive nga Gjykata Speciale.
Peticioni është nënshkruar nga Enver Hasani, profesorë, jurist e ish-zyrtarë.
Komunikata:
Qëllimi i këtij Peticioni është i qartë dhe i domosdoshëm: të riafirmohet në mënyrë institucionale se themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – i realizuar me vendimmarrjen e vetë Kuvendit të Republikës së Kosovës – ka qenë akt i përgjegjësisë shtetërore për adresimin e pretendimeve të ngritura në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011. Ne dëshirojmë t’ju rikujtojmë se ky bashkëpunim i plotë me komunitetin ndërkombëtar ka qenë dhe mbetet shprehje e vullnetit të Republikës së Kosovës për të demantuar çdo akuzë të pabazuar që cenon vlerat e luftës së UÇK-së dhe sakrificën historike mbi të cilën është ndërtuar shteti ynë.
Megjithatë, përvoja e viteve të fundit dëshmon se mënyra e administrimit të drejtësisë nga Dhomat e Specializuara ka ngritur dyshime serioze dhe të qëndrueshme në raport me respektimin e standardeve ndërkombëtare për një proces të drejtë dhe të paanshëm gjyqësor. Përgjatë pesë viteve të paraburgimit të zgjatur të të akuzuarve, trajtimit formalist të mjeteve juridike, administrimit të pabarabartë të provave dhe perceptimit gjithnjë e më të theksuar për anësi institucionale në favor të prokurorisë, është vërejtur rrezik i drejtpërdrejtë për cenimin e parimeve kushtetuese, të drejtave themelore të njeriut dhe vetë integritetit të drejtësisë.
Për këto arsye, ne – nënshkruesit e këtij Peticioni – ju drejtohemi si organi më i lartë përfaqësues i popullit të Kosovës, duke kërkuar miratimin e Rezolutës së propozuar në Aneks. Kjo Rezolutë është hartuar me kujdes profesional dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, standardet ndërkombëtare dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Ajo nuk ndërhyn në çështjet meritore gjyqësore, por kërkon vetëm garantimin e një procesi të drejtë, të paanshëm e transparent për të gjitha palët. Përmes saj, kërkohet që institucionet e Republikës së Kosovës të kërkojnë nga Komisioni Evropian dhe shtetet mike – si financues e mbikëqyrës të Dhomave të Specializuara – për të siguruar që qytetarëve të Kosovës t’u respektohen të gjitha të drejtat dhe t’u ofrohet trajtim në përputhje me liritë dhe të drejtat themelore të parashikuara në Kushtetutë dhe në Ligjin e vitit 2015 për Dhomat e Specializuara./ATVLIVE/







