Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka kërkuar nga partitë politike dhe subjektet e përfshira në fushatën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 që të sigurojnë mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve dhe të respektojnë detyrimet ligjore në këtë drejtim.
Në njoftimin e bërë publik, AIP thekson se çdo përpunim i të dhënave duhet të bëhet vetëm mbi baza të qarta ligjore, si pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjekteve politike apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj.
Agjencia paralajmëron se është e ndaluar përdorimi i të dhënave kontaktuese të qytetarëve, të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike apo përmes formave të tjera, për qëllime të marketingut politik. Po ashtu, ndalohet ekspozimi i të dhënave personale përmes komunikimeve elektronike si e-mail, SMS apo thirrje telefonike, pa pëlqim paraprak të qytetarëve.
“AIP kërkon të respektohet e drejta e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përdorimin e të dhënave të tyre për marketing të drejtpërdrejt dhe të ndërpritet menjëherë komunikimi pas paraqitjes së kundërshtimit. Subjektet politike duhet të shmangin çdo formë të profilizimit apo përpunimit masiv të të dhënave të ndjeshme, përveç rasteve kur ekziston bazë ligjore e qartë dhe janë ndërmarrë masa mbrojtëse përkatëse”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, AIP kërkon transparencë të plotë ndaj qytetarëve për mënyrën e përpunimit të të dhënave, duke publikuar politika të qarta të privatësisë në formë të thjeshtë dhe të qasshme.
Në fund, Agjencia shpreh gatishmërinë për bashkëpunim me partitë politike “për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës” dhe apelon që informacionet e qytetarëve të trajtohen me kujdes gjatë gjithë periudhës së fushatës zgjedhore.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka nisur më 13 shtator.