Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës duhet të trajtohet me përgjegjësi të lartë politike, në mënyrë që të shmanget një krizë e re institucionale.
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Abdixhiku tha se afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit është i kufizuar dhe kërkon maturi e kompromis.
“Sot, në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, aty ku përcaktohet fati i institucioneve, kam zhvilluar një takim ndërpartiak LDK–LVV me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëkohësisht Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe çështjen e stabilitetit institucional të vendit,” ka deklaruar Abdixhiku.
Ai theksoi se koha në dispozicion është shumë e shkurtër.
“ Procesi i zgjedhjes së Presidentit po zhvillohet brenda një afati të kufizuar kohor. Na kanë mbetur më pak se 9 ditë për të arritur një zgjidhje. Prandaj, në këtë kohë të shkurtër kërkohet përgjegjësi e lartë politike, e cila nënkupton qartësi, maturi dhe vullnet për kompromis, në mënyrë që të shmanget çdo rrezik për paqëndrueshmëri institucionale,” u shpreh ai.
Kreu i LDK-së nënvizoi se institucioni i Presidencës duhet të mbetet mbi ndarjet partiake.
“Është thelbësore të kuptohet se Presidenca duhet të mbetet institucion që garanton ndarjen e pushteteve dhe shërben si faktor uniteti për vendin, e jo si vazhdim i shumicës qeverisëse,” tha Abdixhiku.
Duke iu referuar qëndrimit zyrtar të LDK-së, ai theksoi se partia sheh dy rrugë të mundshme përpara.
“Në këtë frymë, dhe në përputhje me deklaratën politike të miratuar në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK vlerëson se ekzistojnë dy rrugë të qëndrueshme përpara: ose një konsensus i gjerë parlamentar rreth një emri të përbashkët për President, ose një marrëveshje politike ndërmjet partive parlamentare,” deklaroi Abdixhiku.
Sipas tij, në të dyja rastet kërkohet mbështetja e dy të tretave të deputetëve.
“Në të dyja rastet, kërkohet mbështetja e së paku dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës; dhe ditët në vijim do të na tregojnë se cila rrugë do të jetë e mundshme. Nëse asnjëra, vendit i vijnë zgjedhjet, një skenar i panevojshëm në këtë kohë,” paralajmëroi ai.
Në fund, Abdixhiku theksoi se LDK do të angazhohet për një zgjidhje që garanton stabilitet.
“LDK do të veprojë në këtë proces me përgjegjësi shtetërore, transparencë të plotë dhe vullnet për gjetjen e një zgjidhjeje, duke pasur si prioritet absolut ruajtjen e stabilitetit institucional dhe interesin e Republikës së Kosovës,” përfundoi ai.






