I ftuar në emisionin “Libero” në ATV, neuropsikiatri dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka folur për temën e raportit ndërmjet fesë, shkencës dhe çështjeve të komunitetit LGBT, si dhe për ndikimin e shkencës në institucionin e familjes.
Agani ka theksuar se shkenca nuk po kontribuon në shuarjen e familjes, përkundrazi, po ndihmon në forcimin e saj. Ai kujtoi përvojën e tij si ministër i Shëndetësisë, gjatë së cilës ka udhëhequr procesin për hartimin e Udhëzimit Administrativ për Fertilizimin e Asistuar Mjekësor.
“Kam qenë ministër i Shëndetësisë për dy vite, gjatë të cilave kam udhëhequr procesin e hartimit të Udhëzimit Administrativ për fertilizimin e asistuar mjekësor, me qëllim që çifteve që për arsye mjekësore nuk mund të gëzojnë prindërinë, t’u mundësohet shtatzënia dhe lindja e fëmijës,”tha Feridi.
Ai shtoi se ky udhëzim është hartuar dhe miratuar në përputhje me standardet më të larta shkencore dhe fetare, dhe përbën një shembull të harmonisë mes këtyre dy fushave. Sipas tij, ky dokument vazhdon të mbetet në fuqi dhe është baza mbi të cilën punohet edhe sot, pavarësisht përpjekjeve për ta zëvendësuar me një ligj të ri për shëndetin riprodhues.
“Unë e kam nënshkru atë udhëzim. Ai udhëzim i cili po tentohen tani e sa vite me u ndryshu me një ligj të ri për shëndetin reproduktiv në mënyrë plotësisht të paarsyeshme. Ai udhëzim është edhe në pajtim me standardet më të larta shkencore edhe fetare. Në këtë anën tjetër pra, është tamam ai pajtimi të cilin populli e ka pranu si të vetin dhe sot ekziston dhe në bazë të tij punohet.” tha Agani.
Deklaratat e Aganit vijnë në një kohë kur debati mbi të drejtat riprodhuese, identitetin gjinor dhe rolin e fesë në politikat publike vazhdon të jetë i theksuar në diskursin publik në vend.
Për ta dëgjuar diskutimin e plotë të Dr.Ferid Aganit (edhe për çëshjet e tjera për sa i takon fesë, shkencës dhe LGBT), klikoni në linkun e mëposhtëm: