7.4 C
Pristina
Monday, March 9, 2026

A mund ta godasë Irani Shqipërinë me raketa? Eksperti shpjegon hartën dhe tregon skenarët

I ftuar në “Review” me Greta Topjanën, drejtuesi i Qendrës Marshall në Shqipëri, Ermal Jauri, analizoi mundësinë teorike dhe praktike që një raketë balistike e lëshuar nga Irani të mund të godasë territorin shqiptar.

Sipas tij, në aspektin teorik një skenar i tillë mund të imagjinohet për shkak të rrezes së veprimit të raketave balistike iraniane, të cilat mund të arrijnë deri në 2000–2500 kilometra, ndërsa distanca mes Iranit dhe Tiranës është afërsisht rreth 2000 kilometra.

Megjithatë, Jauri theksoi se në praktikë një sulm i tillë është pothuajse i pamundur për shkak të sistemit të mbrojtjes ajrore të NATO-s dhe vendeve aleate në rajon. Sipas tij, një raketë e nisur nga Irani do të duhej të kalonte mbi territorin e Turqisë dhe Greqisë, dy vende anëtare të NATO-s që disponojnë sisteme të avancuara të mbrojtjes raketore si Patriot dhe NASAMS, të cilat janë të afta të interceptojnë çdo raketë që hyn në hapësirën e tyre ajrore.

Eksperti shtoi se edhe në rast se një raketë do të arrinte të depërtonte përmes këtyre sistemeve, mbrojtja kolektive e NATO-s do të reagonte brenda pak minutash. Ai shpjegoi se avionët e Aleancës që patrullojnë hapësirën ajrore të Shqipërisë mund të ndërhyjnë shumë shpejt për të neutralizuar çdo kërcënim të mundshëm, duke e bërë rrezikun për territorin shqiptar praktikisht zero.

“Në aspektin teorik, po, Irani mund ta godasë Shqipërinë. Pse? Sepse një raketë balistike ka rreze veprimi rreth 2000 deri në 2500 kilometra dhe distanca nga Irani në Tiranë është afërsisht 2000 kilometra. Pra, në teori një raketë mund ta përshkojë këtë distancë. Por në praktikë kjo është pothuajse e pamundur. Që një raketë të lëshohet nga Irani drejt Shqipërisë, trajektorja e saj do të zgjaste rreth 20 minuta ose edhe më shumë. Gjatë kësaj kohe ajo duhet të kalojë mbi territorin e dy vendeve anëtare të NATO-s, Turqisë dhe Greqisë. Të dyja këto vende kanë sisteme të avancuara të mbrojtjes raketore, si Patriot dhe NASAMS, të cilat janë sisteme amerikane dhe janë të dizajnuara pikërisht për të interceptuar raketat balistike”, tha ai.

Jauri shtoi se në momentin që një raketë do të hynte në hapësirën ajrore të këtyre vendeve, ajo do të identifikohej dhe do të neutralizohej. Për më tepër, sipas tij Shqipëria është vend anëtar i NATO-s.

“Edhe pse ne nuk kemi forca ajrore për mbrojtjen e hapësirës sonë ajrore, kjo mbrojtje realizohet në kuadër të NATO-s. Koha e reagimit të NATO-s për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Shqipërisë është shumë e shpejtë, rreth 2 deri në 6 minuta. Kjo do të thotë se avionët e NATO-s nga bazat e tyre në rajon mund të ndërhyjnë menjëherë dhe të neutralizojnë çdo raketë që mund të ketë kaluar sistemet e mbrojtjes së Turqisë apo Greqisë. Prandaj, në praktikë është totalisht e pamundur dhe nuk paraqet asnjë rrezik real që Irani të godasë Shqipërinë me raketa. Madje, edhe nga përvoja që kemi parë në sulmet e Iranit ndaj Izraelit, një raketë e vetme nuk mund të depërtojë një sistem të mirë mbrojtjeje ajrore. Për të pasur një probabilitet që një raketë të kalojë, Irani do të duhej të lëshonte dhjetëra raketa njëkohësisht. Edhe në një skenar të tillë, sistemet e mbrojtjes raketore dhe forcat ajrore të NATO-s do të ishin në gjendje të ndërhynin dhe ta neutralizonin kërcënimin shumë përpara se raketa të arrinte në objektivin e saj”, tha ai.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA