Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Ermal Nufi është deklaruar pas paralajmërimit të bërë dje nga Ambasada Amerikane në Shqipëri se Irani mund të sulmojë subjekte të lidhura me SHBA-në në Shqipëri.
Nufi thekson se nuk ka vend për panik dhe qytetarët shqiptarë duhet të jenë të qetë, pasi sipas tij janë të sigurt.
I pyetur nëse ka një kërcënim për Shqipërinë, Nufi duke folur në hyrje të Kuvendit u shpreh:
“Besoj që SHBA-të, atë lajmërim që kanë bërë, e kanë për qytetarët e vet, dhe SHBA-të janë edhe më sensitive për ruajtjen e qytetarëve të tyre. Sa i takon qytetarëve shqiptarë siguria është e garantuar nga aleanca ushtarake më e fuqishme në botë. Ne si qeveri kemi marrë masat për të gjitha sistemet e nevojshme dhe procedurat që duhet të kryejmë për të garantuar sigurinë e qytetarëve shqiptarë. Jemi në një situatë ku ka një konflikt. Jemi një shtet që kemi mbajtur qëndrim të prerë, kundrejt atij regjimi, kanë filluar që në 2022 sulmet nga aktorë malinj të atij shteti, përsëri kemi parë ditët e fundit sulme te Parlamenti dhe Posta. Qytetarët shqiptarë duhet të jenë të qetë, të sigurt. Që duhet të kemi kujdes duhet të kemi kujdes, por nuk ka vend për panik”, tha ai për A2 CNN.
Edhe Ambasada Amerikane në Tiranë reagoi sot lidhur me paralajmërimin e bërë dje se grupe të lidhura me Iranin mund të sulmojnë objektiva të caktuara në Shqipëri.
Të pyetur nëse alarmi që njoftuan mbrëmë ka të bëjë me ndonjë kërcënim konkret apo informacion të besueshëm që ka të bëjë me Shqipërinë, apo bëhet fjalë për një paralajmërim paraprak në kuadër të zhvillimeve më të gjera rajonale, një zyrtar i ambasadës amerikane tha se “do të ofrojmë më shumë informacion sapo të jetë i disponueshëm.
“Administrata Trump nuk ka përparësi më të lartë se siguria dhe mbrojtja e amerikanëve. Ne po bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet shqiptare për të vlerësuar situatën dhe për të zbutur rreziqet e sigurisë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara vlerëson bashkëpunimin e saj të ngushtë në çështjet e sigurisë me Qeverinë e Shqipërisë, e cila ka shfaqur një angazhim të vazhdueshëm për të siguruar sigurinë e qytetarëve amerikanë dhe të gjithë banorëve të Shqipërisë. Ne do të ofrojmë më shumë informacion sapo të jetë i disponueshëm”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Paralajmërimi i Ambasadës amerikane erdhi pak javë pasi hakerë të lidhur me Iranin kryen sulme kibernetike ndaj institucioneve shtetërore në Shqipëri, dhe pasi Kuvendi shqiptar e shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.






