Dardan Krivaqa është duke shërbyer dënim me burgim të përjetshëm për vrasjen mizore të Marigona Osmanit. Sipas Gjykatës, Marigona Osmani 18 vjeçare është rrahur e torturuar për dy ditë deri në vdekje dhe e vdekur u la para Spitalit të Ferizajt.
Në raportin e autopsisë thuhet se Marigona Osmanit e ka pasë Nofullën e poshtme të thyer, thyerje të brinjëve, thyerje të unazave të qafës, këputje e palcës së qafës, lëndimet të syve, fytyrës dhe pothuajse në çdo pjesë të trupit.
Vrasja, pas torturës, ndodhi më 2021. Prej 2006-ës deri në 2021-ën Dardan Krivaqa, sipas informatave që Prokuroria thotë se ka marrë nga Policia, vërtetohet se qenë i dyshuar për 133 vepra të ndryshme penale.
Edhe një herë, 133 vepra penale për 15 vjet i dyshuar. Tërë kohën lihet në liri derisa e rrehë, ia then brinjtë ia then qafën një 18 vjeçareje, e vret dhe bashkë me Arbër Sejdiun e fërfëllojnë para spitalit në Ferizaj.
Derisa ka qenë duke shërby dënimin për këtë vrasje, sivjet, Dardan Krivaqa u dënua me 4 vjet burg për grabitje që ka ndodhë më 2012-ën. Fort kish qenë funny, sikur të mos ishte tragjike! Edhe një herë 12 vjet i janë nevojitur sistemit të drejtësisë në Kosovë të shqiptojë dënim, për njeriun që i ka edhe mbiu 100 vepra tjera në dosje ndërkohë dhe ka vra një 18 vjeçare.
Pjetër Nrecaj, duke shërbyer dënim për vrasje të gruas dhe të vajzës. Dy muaj e gjysmë pasi u dënua për këto dy vrasje, Pjetër Nrecaj u paraqit në gjykatë për dhunë në në familje.
Edhe një herë, pasi e ka vra gruan dhe vajzën, u paraqit në gjykatë për një rast kur dyshohet se e ka rrehë gruan.
Në kohën kur po zhvillohet fushata 16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, këto dy raste tregojnë që shteti i Kosovë nuk i mbron gratë.
Në mendoni që këto janë raste të izoluara, ncuk. Gabim e keni. Rastet e Diana Kastratit, Zejnepe Berishës, Sabile Mavrovqanit, Hamide Magashit, Sebahate Morinës, Lirije Qerimajt, Erona Coklit… krejt janë shembuj ku ose një hallkë, ose krejt zinxhiri i shtetit dhe i sistemit të drejtësisë ka dështuar.
Edhe këtu nuk po themi që sistemi i keq i drejtësisë sponsorizon vrasje duke mos reaguar me kohë ndaj dhunuesve dhe shkelësve të ligjit. Veç po listojmë raste ku ky shtet ka dështu fëlliqtë!!!
Tash, nëse drejtësisë nuk ia kemi besën fort, dy janë shtyllat tjera ku matet qasja e shtetit ndaj qytetarëve të vet.
Arsimi – boll kam folë për një sistem rezultanta e të cilit janë fëmijët tupa!
Po mbetet shëndetësia – po ua jap dy parametra – me qindra matet numri i mjekëve dhe infermierëve që çdo vit e lëshojnë Kosovën dhe me qindra miliona maten shumat që kosovarët i harxhojnë për shërim jashtë vendit.
Dikush thotë që shteti u shkatërru, dikush thotë që nuk u ndërtu mirë, mundet ma mirë, sonte kjo është më pak e rëndësishme.
Për më tepër – rrjetet sociale, e posaçërisht tik toku janë kah rrisin dhunues, kriminelë, prostituta dhe budallë.
Rritja e profilit publik të dhunuesve, kriminelëve, prostitutave dhe budallëve në tiktok ka efekt zinxhiror, dhunuesit e budallët nga tik toku kanë me dalë në reality show, pas reality showeve kanë me dalë në emisione të pasdites, pas emisioneve të pasdites në debate për sport ose për politikë dhe në fund në lista për deputetë!
Në momentin kur nisim dhunuesit, prostitutat dhe budallët ti legjitimojmë me votë – qoftë me vota në media, qoftë me vota online, qoftë me vota në zgjedhje, atëherë mos u çuditni pse jeni bashkëpjesëmarrës në çmenduri kolektive!
Normalizimi i dhunës në rrjete sociale dhe formate televizive, është pasojë e algoritmeve që dikush i shtyn me qëllime të caktuara.
Normalizimin e dhunës, në një shtet ku arsimi, shëndetësia dhe drejtësia janë buzë kolapsit, do ta prishë familjen dhe krejt strukturën shoqërore.
Tolerimi i budallëve dhe i dhunuesve në rrjete sociale do të krijojë gjenerata të ardhshme më të dhunshme dhe incidentet e dhunës në shkolla pjesërisht e konfirmojnë këtë gjë.
Nëse shteti nuk i ndihmon viktimat, familja mundet. Dhunën në rrjete sociale dhe në media, nuk ke nevojë me e toleru, po edhe nëse e toleron, mos u çudit pse pastaj e tolerojnë fëmijët dhe pse i kthehemi rrethit vicioz të dhunës!