Në një epokë ku gjithçka lëviz me shpejtësinë e një klikimi, shumë njerëz mbeten peng i mendimeve që nuk ndalen. Në heshtjen e natës, ndërsa gjithçka tjetër qetësohet, mendja vazhdon të analizojë, të dyshojë, të rikthejë skena që kanë kaluar. Quhet “overthinking” mendimi i tepërt, që për disa është shenjë e ndjeshmërisë dhe inteligjencës, ndërsa për të tjerë, simptomë e pasigurisë së brendshme.
Psikologët e përshkruajnë si një cikël të pafund analizash që shndërrohet në barrë emocionale. Studime të “University of Michigan” tregojnë se njerëzit që mendojnë shumë kanë aktivitet më të lartë në korteksin prefrontal,zona e trurit që lidhet me planifikimin dhe vetë analizën. Por kjo aftësi, nëse nuk kontrollohet, mund të kthehet në bllokim emocional.
Në vend që të ndihmojë në zgjidhje, mendja e mbingarkuar ngurtësohet nga frika e gabimit.
Në Kosovë, kjo sjellje është bërë gjithnjë e më e dukshme tek brezi i ri, studentë që analizojnë çdo reagim në rrjete, profesionistë që mendojnë gjatë para se të flasin, njerëz që lodhen nga vetëdyshimi. Në një kulturë që lavdëron “me qenë gjithmonë i përgatitur”, mendimi i tepërt shihet si përgjegjësi, jo si pengesë.
Por në thelb, “overthinking” është përpjekje për kontroll. Njeriu mendon tepër, sepse do të parashikojë çdo mundësi, të shmangë çdo zhgënjim. Dhe kështu, e humb lirinë për të vepruar spontanisht.
Psikoterapistët këshillojnë teknika të thjeshta si “grounding”, përqendrim në të tashmen përmes frymëmarrjes, ose shkrimi i mendimeve në ditar, që të ndahen idetë nga ndjenjat. Sepse mendja, si çdo instrument, duhet përdorur me masë.
Në fund, “overthinking” nuk është armik i inteligjencës, por një kujtesë që ajo duhet udhëhequr nga qetësia. Mendja që reflekton është e mençur, por ajo që pushon kur duhet, është e urtë.







