Ae dini se gatimi me gaz mund ta bëjë ajrin brenda shtëpisë tuaj deri në pesë herë më të ndotur? Ky është rezultati më i fundit i një studimi të ndërrmarrë nga një grup kërkimor i Institutit “Rocky Mountain”. Gatimi me gaz çliron shumë emetime të dioksidit të azotit dhe monoksidit të karbonit në shtëpi, të cilët janë tejet të rrezikshëm për më të vegjlit. Ky hulumtim vërtetoi se fëmijët që jetojnë në shtëpi ku përdoren soba me gaz kanë 42% më shumë gjasa të vuajnë nga astma.
Organizata Botërore e Shëndetësisë i konsideron pajisjet me gaz si një nga faktorët kryesorë në ekspozimin e përgjithshëm të njerëzve ndaj dioksidit të azotit. Emetimi i dioksidit të azotit mund të jetë gjithashtu përgjegjës për përkeqësimin e sëmundjes të tillë si sëmundja kronike obstruktive pulmonare, si dhe të jetë i lidhur me problemet e zemrës, diabetin apo edhe kancerin.
Ndërkaq, një studim i ri zbulon nivele alarmante të kimikateve në produktet me drithëra në mbarë Evropën. Sipas Pesticide Action Network Europe, sasia e kimikatit toksik TFA në drithërat e mëngjesit rezulton mesatarisht 100 herë më e lartë se ajo në ujin e rubinetit. TFA formohet pasi pesticidet me PFAS shpërbëhen në tokë dhe është i lidhur me rreziqe për fertilitetin, zhvillimin e fetusit dhe funksionet e tiroides dhe mëlçisë.
Analiza e 65 produkteve nga 16 vende gjeti ndotje në 81.5 për qind të mostrave. Produktet me grurë rezultuan më të prekurat. Nivelet më të larta u identifikuan në drithërat irlandeze, të ndjekura nga buka e thekur belge dhe ajo gjermane. Shkencëtarët po bëjnë thirrje për ndalimin e shitjes së proshutës dhe bacon-it në supermarket, pasi kimikatet e përdorura në prodhimin e tyre janë lidhur me më shumë se 50,000 raste të kancerit të zorrës së trashë.






