Përgatiti: Arton Hamiti
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën ka konstatuar “përparim të kufizuar” sa i përket lirisë së shprehjes. Madje, raporti thekson se ka pasur zhvillime të perceptuara si përpjekje të Qeverisë për kontroll mbi median.
Megjithatë, vlerësohet se mjedisi në të cilin punojnë gazetarët është edhe më i vrazhdë sesa e pasqyron raporti i Komisionit Evropian.
Për raportin dhe vërejtjet, qeveria nuk ktheu përgjigje gjatë ditës. Sidoqoftë, thekset e raportit, sidomos për lirinë e shprehjes, opozita i konsideroi si “goditjen më të madhe” kohëve të fundit.
Raporti mes tjerash ngre shqetësime për paqëndrueshmërinë e Transmetuesit Publik dhe dorëheqjet e shumta në mesin e drejtuesve dhe anëtarëve të lartë të Bordit.
Kurse, për sulmet ndaj gazetarëve, raporti thekson nivelin e lartë të pandëshkueshmërisë, gjë që është shqetësim serioz për lirinë e medias.
Në fund, potencon se rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar nuk janë zbatuar dhe mbeten të vlefshme.