Përgatiti: Driton Sadiku
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar përgatitjet për procesin zgjedhor që do të mbahet në fillimshkurt të vitit të ardhshëm. Ky institucion rishtazi ka hapur disa tenderë për blerje të kabinave për votim dhe obligime të tjera të nevojshme për procesin.
Këto zgjedhje KQZ-së do t’i kushtojnë më shtrenjtë se zakonisht, meqë fillimisht pritet që i gjithë procesi të monitorohet nga kamera të sigurisë, për të cilat KQZ-ja ka hapur tender në vlerë prej mbi 1 milion eurosh.
Gjysmë milioni euro KQZ-së do t’i kushtojë edhe shtypja e fletëvotimeve për lista zgjedhore e kandidatë për deputetë, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Gjithashtu, me 130 mijë euro të tjera, KQZ-ja do të blejë kabina për votim e gjëra të tjera që nevojiten për procesin.
Për t’i monitoruar votimet, KQZ-ja ka në plan t’i angazhojë mbi 23 mijë persona.
Sipas njohësit të zgjedhjeve, Shemsi Jashari, Qeveria duhet t’i kushtojë rëndësi të veçantë ndarjes buxhetore për këtë proces, pasi nga ai varet e ardhmja e qeverisjes së vendit.
“Qeveria duhet të sigurohet që ka ndarë buxhet të mjaftueshëm për zhvillimin e të gjitha aksioneve gjatë ditës së zgjedhjeve, prandaj është shumë e rëndësishme një buxhet i mjaftueshëm të sigurohet për KQZ-në në mënyrë që të mos jenë mjetet financiare ato që do ta pengonin një organizim dhe mbarëvajtje të mirë të këtij procesi zgjedhor”, tha Jashari.
Ndërkaq, sa i përket monitorimit të procesit me kamera, si formë e re, preferohet që rëndësi e veçantë t’i kushtohet vendosjes së tyre nëpër qendra të votimit.
“Duhet që KQZ-ja përveç që t’i ndjekë procedurat për vendosjen e kamerave, të sigurohet që në kuadër të manualeve mënyrës se si rregullohet klasa apo objekti përkatës i vendvotimit të mos i vendosë kamerat prapa shpinës së votuesve, ato duhet në një hapësirë që vetëm garanton që ka qasje për të gjitha palët e përfshira”, tha Eugen Cakolli, hulumtues në IKD.
Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, këtë herë do të përdoren 38 qendra Komunale të Numërimit, në të cilat do të bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, që gjithashtu KQZ-së do t’i kushtojë gjysmë milioni euro për blerje të pajisjeve teknologjike.