Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se rritja e pagave për sektorin publik në vitin e ardhshëm do të bëhet për të gjithë shërbyesit civilë, e jo vetëm për kategoritë e prezantuara sot në një tabelë në konferencë për media.
Murati këtë sqarim e ka bërë me anë të një postimi në ‘Facebook’, shkruan Insajderi.
“Rritja do të jetë 110 euro në muaj për secilin punonjës të sektorit publik. Hyrja në fuqi e rritjes do të jetë e ndarë në dy faza – ku faza e parë prej janarit pagat rriten për 55 euro, ndërsa faza e dytë prej korrikut ku rritja bëhet 110 euro.
Pra pagat rriten për të gjithë shërbyesit publikë, e jo vetëm për pozitat që i shfaqëm në tabelë gjatë konferencës. Tabela e shfaqur ishte vetëm për të ilustruar se si do dukej rritja për disa prej pozitave në sektorin publik”, thuhet ndër të tjera në postimin e tij.
Në tabelën krahasimore të prezantuar sot në konferencë, përmendeshin vetëm mësuesit, policët, infermierët, zjarrfikësit dhe ushtarët.
Qeveria Kurti rriti pagat për sektorin publik që nga viti i ardhshëm në prag të zgjedhjeve parlamentare, data e së cilës është caktuar 9 shkurti i 2025-ës.
“Përderisa në të kaluarën pagat rriteshin vetëm një herë brenda mandatit dhe atë vetëm në fushatë, me qeverisjen tonë të mirë e demokratike po rriten në secilin vit që nga hyrja në fuqi e ligjit të pagave, ashtu siç e parasheh edhe ligji”, deklaroi Kurti sot në konferencë.