​Nënkryetarja e PDK-së: Dialogu në “vdekje klinike”

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Mimoza Ahmetaj, thotë se procesi i dialogut me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian po shkon drejt “vdekjes klinike”.

Ajo deklaron se përkundër takimeve në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel nuk pret rezultate konkret drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit të arritur vitin e kaluar nga Kosova dhe Serbia.

Sipas saj, kryeministri Albin Kurti, pavarësisht presionit ndërkombëtar nuk do ta dërgojë draft-statutin e asociacionit në Kushtetuese, kur kanë mbetur edhe tre muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Ahmetaj në një intervistë për KosovaPress flet për vizitën e sotme të presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, mesazhet amerikane ndaj Kosovës, veprimet e qeverisë në veri dhe përgatitjet e PDK-së për zgjedhjet e shkurtit 2025.

“Me të vërtetë dialogu ndodhet në një ‘vdekje klinike’. Në këta katër vjet të kësaj qeverie nuk është prodhuar diçka e prekshme dhe konkrete, përveç një marrëveshje, e cila është kontestuar në vazhdimësi edhe nga vetë partia në pushtet, e cila e ka pranuar si të tillë. Është pranuar marrëveshja e Brukselit, është pranuar aneksi i Ohrit, por pastaj kur është sjell në Prishtinë, estabilshmenti në Kosovë ka zgjedhur mënyra të ndryshme për ta interpretuar. Nga sot e tutje deri në zgjedhje, nuk pres të ketë ndonjë rezultat konkret. Për më tepër, do të vazhdojë si i tillë si formë që të mbahen takime të tilla, për të thënë se po takohemi, por në të vërtetë nuk do të ketë asgjë konkrete”, tha ajo.

Sipas saj, kreu qeveritar do të mundohet të shtyjë themelimin e asociacionit deri pas zgjedhjeve, në mënyrë që të mos i mbetet “patatja e nxehtë” në duar dhe të humbë vota.

Duke folur për vizitën e ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien ditë më parë në Kosovë, ajo deklaron se ai shprehu pakënaqësinë me politikën e Prishtinës zyrtare.

“Do të mundohet që ta shtyjë implementimin e marrëveshjes, më saktë çështjen e statutit të asociacionit deri pas zgjedhjeve, në mënyrë që mos t’i mbet “patatja e nxehtë” në duart e veta, ani pse vetë është nënshkrues i marrëveshjes…Kam dilemat e mia që një gjë e tillë edhe mund të dërgohet nga Qeveria e Kosovës, pikërisht për faktin se jemi pak muaj larg nga zgjedhjet dhe një gjë e tillë mund t’i faturohet partisë në pushtet me vota ndëshkuese”, thekson Ahmetaj.

Sa i përket vizitës së sotme të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Kosovë, Ahmetaj konsideron se për çështja e dialogut do të mbetet element kyç për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian në të ardhmen.

“Zonja Ursula von der Lyen e ka bërë të qartë se do të jetë prioritet çështja e zgjerimit. Por ajo nuk do të bëhet pa e përkrahjen dhe bashkëpunimin e ngushtë me shtetet e Ballkanit Perëndimor veç e veç, pra është proces i bazuar në merita. Ashtu siç shtetet do të vazhdojnë me referoma, ashtu do të shpërblehen në procesin integrues. Në raportin me Kosovën elementi kyç, na pëlqeu apo jo neve, është çështja e dialogut dhe është porta përmes së cilit ne do të kalojmë në integrimin evropian”, deklaron ajo.

Në anën tjetër, nënkryetarja e PDK-së, kritikon ekzekutivin se në emër të shtrirjes së sovranitetit në veri e ka tkurrur sovranitetin ndërkombëtar të Kosovës.

“Ne në emër të shtrirjes së sovranitetit në veri kemi tkurrur sovranitetin ndërkombëtar të Kosovës në tërësi. Jam shumë pro që sovraniteti i Kosovës të shtrihet në secilin cep të vendit tonë dhe s’ka një qytetar në vend që do të ishte kundër kësaj. Megjithatë, konsideroj se shtrirja e sovranitetit nënkupton edhe shtrirjen institucionale të sovranitetit – inkorporimi i gjyqësorit, policisë, administratës publike, civile dhe të gjitha institucioneve të tjera që do të duheshin të ishin në veri….21:17 Kjo është “fitore e Pirros” në emër të marrjes apo shtrirjes së integritetit në pjesë të caktuara, ne po e rrezikojmë tërësinë e integritetit territorial të Kosovës, sidomos në arenën ndërkombëtare”, deklaron Ahmetaj.

Duke folur për mbylljen e Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë në Kosovë, ajo paralajmëron se një gjë e tillë do të ndodhë edhe me një mision tjetër diplomatik, duke mos dashur të zbulojë më shumë detaje.

“Informacionet janë të tilla se deri në fund të vitit mund të mbyllet edhe një mision. S’do të doja të bëja më tepër publike se kush dhe cili mund të jetë. Uroj që një gjë e tillë mos të jetë e vërtetë. Është mosdija, qasja e gabuar që kjo qeveri ka pasur me partnerët ndërkombëtarë që e ka sjellë Kosovën në këtë pikë”, tha ajo.

Krahas këtyre, Ahmetaj thotë se PDK-ja synon t’i fitojë zgjedhjet parlamentare të muajit shkurt 2025, derisa shprehet e rezervuar për koalicionet e mundshme.

“Ajo çka ne insistojmë është një politikë stabile e vendit, një zhvillim ekonomik, mbi të gjitha mirëqenie sociale dhe avancim të shtet-ndërtimit të Kosovës. Kosova s’është shtet i aventurave. Kosova është sublimim i ëndrrave dhe dëshirave dhe vullnetit të gjeneratave të tëra… PDK-ja synon t’i fitojë zgjedhjet dhe që Bedri Hamza të jetë kryeministër që do të qeverisë vendin. Ai është dëshmuar tashmë në të gjitha pozicionet që ka pasur – është njeri i domosdoshëm për qeverisjen e vendit më tutje”, shton nënkryetarja e PDK-së.

Ajo kritikon shumicën parlamentare për ikje nga seancat e jashtëzakonshme, të ftuara nga opozita, gjë e cila sipas saj, tregon se pushteti aktual nuk është në gjendje të ballafaqohet me të vërtetën dhe konsekuencat si rezultat i politikave të të saja të gabuara katërvjeçare. /KP

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA