Përgatiti: Kastriot Tahiri
Të premten e ardhshme, asamblistët e kryeqytetit do ta kenë edhe një mundësi për të votuar buxhetin për vitin 2025. Seanca tashmë është caktuar për 1 nëntor e në rend dite janë 13 pika, përfshirë buxhetin.
Por, votë nga PDK-ja dhe Vetëvendosja nuk do të ketë, ngase ndryshimet e kërkuara nuk u bënë.
“Drafti është i njëjti, me shkeljet e njëjta, nuk ka pasë reflektim për me bë përmirësimin e tij”, tha Leotrim Retkoceri, asamblist i PDK-së.
“Hë për hë, jemi në pozitën e njëjtë, nuk ka asnjë arsye logjike që të kemi qëndrim tjetër për pikën e buxhetit”, tha Feim Osmani, asamblist i LV-së .
Megjithatë, nënkryetari i komunës, Alban Zogaj, thotë se ka kohë për ndryshime.
“Ka ndryshime, i kemi marrë disa vërejtje, por ka kohë, e i bëjmë thirrje, jemi të hapur me i marrë vërejtjet për me votu buxhetin”, tha Zogaj.
Që në fillim të muajit, Zogaj kishte deklaruar për ATV-në se komunikimi me opozitën kishte filluar me qëllim votimin e buxhetit për vitin e ardhshëm. Megjithatë, dakordim në parim nuk ka.
“Nuk ka marrëveshje të plotë para seancës, por po vazhdojmë komunikimin”, tha Zogaj.
Në anën tjetër, opozita thotë se kurrë nuk u ftua për diskutime.
Dy herë radhazi, Kuvendi i Prishtinës nuk arriti të votojë buxhetin për vitin e ardhshëm, i cili pritet të jetë 128 milionë euro, respektivisht 4 milionë euro më i lartë se i vitit paraprak.