Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Kolonë të veturave po thuajse në çfarëdo kohe mund të shohësh në Prishtinë.
E për qytetarët që ngecin në trafik, kryetari Përparim Rama rekomandoi të dalin nga vetura ose të lexojnë libra.
Por, kështu nuk bëri vetë ai, teksa erdhi të martën për t’i parë punimet në tunelin e “Kurrizit”.
“Hahaha, jo nuk kam lexuar libër sepse rrugës deri këtu nuk ishte kolonë, nuk pata mundësi…”, tha Rama.
Për rekomandimin që vetë e dha, nuk u përgjigj nëse e kishte njëmend apo jo.
Por teksa u pyet se a është kjo zgjidhje në reduktimin e kolonave në kryeqytet, kryetari përmendi disa hapa që u bënë, për të cilët tha se ndonëse joplotësisht, patën sukses në lehtësimin e trafikut.
“Kemi punuar tek unaza qendrore, kemi punuar edhe tek rruga A, kështu duke u munduar ta lehtësojmë trafikun…”, tha Rama.
Ndërkaq, qytetarët e konsideruan tallje deklaratën e Ramës.
Të njëjtin mendim ndan edhe opozita. Madje, qasjen e tij e cilëson arrogante.
Sipas shefit të asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri, gjendja në trafik është rënduar edhe më shumë prej kur Rama është në qeverisje.
“Deklarimi i kryetarit është tallje, janë ka e vujnë qytetarët çdo ditë, ka mbyllur shumë rrugë pa analiza të fizibilitetit, ka blloku pa alternativa të tjera, andaj jemi në këtë pozicion”, tha Retkoceri.
Në vitin 2022, kur Komuna e Prishtinës bëri testimet për rrjedhën e qarkullimit të veturave, kishte rezultuar se rreth 130 mijë vetura hyjnë në Prishtinë çdo ditë nga rajonet tjera.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: