Mbrojtja-Gecit: Mundohuni ta largoni politikën nga përgjigjet që jepni

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fadil Geci – dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, po përballet me pyetjet e mbrojtjes së Hashim Thaçit, në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Hagë.

Gjatë intervistimit, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq i kujtoi Gecit se një javë më parë në konferencën përgatitore me prokurorin kishte thënë se “nuk konsideron” që ka qenë pjesë të UÇK-së.

Një gjë të tillë, sipas mbrojtësit Mishetiq, dëshmitari e kishte konfirmuar edhe në ditën e parë të dëshmisë së tij, të hënën.

Por sot në gjykatore, sipas avokatit, Geci po e thotë të kundërtën.

“A ja ke thënë prokurorit këtë përpara një jave që ti nuk e ke konsideruar vetën që ke qenë pjesë e UÇK-së, a ja ke thënë këtë para një jave apo jo, po apo jo, dëshmitar?

Geci: Kanë qenë dy organizime, një ka qenë për shtet që jam unë UÇK dhe një për pushtet dhe një ai që e mbron ti. Kjo ka qenë e vërteta.

Mishetiq: Ju keni konfirmuar nën betim dje se ajo çfarë pasqyrohet në shënimin përgatitor është e vërtetë dhe e saktë, ndërkohë që tani po thua që ti nuk e ke thënë asnjëherë që e keni konsideruar vetën që s’keni pjesë e UÇK-së. Këtë po thoni dëshmitar, e keni thënë apo nuk e keni thënë?

Geci: UÇK është e shenjtë e shqiptarisë, pjesë e asaj që kam kontribuar më së shumti jam unë, me familje e më shqiptarë të ndershëm gjithkah.

Mishetiq: Edhe pse dje nën betim ju thatë që kjo është e vërtetë, rezulton që kjo nuk ka qenë e vërtetë për aq kohë sa po thua tjetër gjë sot”, ka insistuar Misetiq.

Në këtë ka ndërhyrë edhe kryetari i trupit gjykues, i cili kërkoi nga dëshmitari që të përgjigjet me “po ose jo”.

Më tej, dëshmitari Geci tha se në atë periudhë i ka raportuar vetëm ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi dhe sipas tij ai ai ka qenë komanda kryesore.

Por, avokati Mishetiq ka insistuar në pyetjet nëse ai ka qenë edhe nën komandën e Bislim Zyrapit, Rexhep Selimit, Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqit.

Mishetiq: Çfarë mjafton e vendosi unë, unë po ju pyes ju s’keni qenë nën komandën e këtyre personave, a është e saktë kjo dëshmitar?

Geci: Nuk kam qenë në komandën e tyre, kurrë.

Mishetiq: Dëshmitar po ju bëjë pyetje të thjeshta, kështu që mundoheni ta hiqni politikën nga përgjigjet që jepni”, u tha në seancën e sotme.

Para intervistimit nga mbrojtja e Thaçit, dëshmitari është përgjigjur në pyetjet e prokurorit, James Pace.

Geci, në seancë publike dhe pa masa mbrojtëse, ka folur për atë që njihet si komunikata e 59-të.

“Ai shqiptar që na ka njohur mirë kush jemi ne, e ka shkruar komunikatën 59 mund të jetë turli nacionaliteti tjetër, por jo shqiptar. Mund të thotë ‘jam shqiptar’, por brenda nuk besoj që është shqiptar në zemër edhe në gjak. Këtë e kam thënë dhe është e vërtetë”, deklaroi ai.

Gjatë pyetjeve të prokurorit, Geci ka folur edhe komunikimin që ka pasur me Ramë Bujën dhe i njëjti, sipas tij, i ka thënë “që ka hëngër plumb pse i ka mbrojtur vëllezërit Geci”.

Pace: A ju ka shpjeguar apo ju ka thënë Ramë Buja se me kë ka diskutuar lidhur me komunikatën 59?

Geci: Po, më ka thënë që ‘kemi biseduar në shtab’. Ai i din ato, por thotë ‘kam pasur pasoja edhe unë pse kam folur për ju’. Bile më thotë ‘se unë kam hëngër plumb pse ju kam mbrojtur juve, e ju keni pasur të drejtë edhe ju mirë na keni bërë se keni pasur të drejtë, ju kam thënë mosni, nuk më kanë dëgjuar, e bajshi me shnet’. Le ta bartin përgjegjësitë. Nëse Ramë Bujë i mban këto fjalë, mua mi ka thënë aty, vet mua drejtpërdrejt. Edhe ai e dinë edhe ne dimë diçka edhe shokët e vet e dinë mirë që kanë pasur probleme aty pse kanë folur për vëllezërit Geci”, deklaroi Geci.

Fadil Geci e ka nisur dëshminë e tij të hënën para Dhomave të Specializuara në Hagë, në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Geci është thirrur nga prokuroria që të dëshmojë lidhur me autorësinë e asaj që njihet si komunikata 59-të si dhe për kërcënimet që ai pretendon se Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi i kanë bërë Tahir Zemajt.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar më 3 prill të vitit 2023.

Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA