Përgatiti: Benita Zeneli
Gjatë 3 viteve të fundit, në procesin e përcaktimit të tarifave të energjisë elektrike në Kosovë, vlerësohet se ka pasur rritje të transparencës nga ana e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Ndonëse, kishte rritje më të madhe të çmimeve për energji elektrike në vitin 2023, sipas raportit të “CorrWatch”, sa i takon përcaktimit të çmimeve, i veçantë ka qenë interesimi jo i madh për komente nga ana e qytetarëve.
“Në këtë vit përkundër që është rritur tarifa për 15% nuk kemi pasë interesim të madh prej qytetarëve për të dhënë komentet, por sa i përket transparencës ZRRE e ka zbatuar atë planin e saj sikur në shqyrtimet tarifore në të kaluarën”, tha Naim Bujupi nga INDEP.
Por, problematike për vendosjen e tarifave në vitin 2021 nga ky raport del të jenë vonesat për vendosjen e tarifave në mungesë të anëtarëve të Bordit të ZRRE-zë.
“Në vitin 2021 ne kemi vërejtur që Rregullatori ka bërë publike të gjitha dokumentet relevante është shumë e rëndësishme gjatë procesit tarifor që të bëhen publike aplikacionet e palëve që aplikojnë për tarifa. Në këtë kontekst Rregullatori i ka bërë publike aplikacionet e të licencuarve dhe gjithashtu ka hapur edhe afatet për diskutim publik dhe komente dhe kjo është shumë e rëndësishme për të përcaktuar transparencën”, tha Bujupi.
Përkundër përmirësimeve në aspektin e transparencës, INDEP-i i rekomandon Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që të ofrojë më shumë informacione për konsumatorët sa i takon kostos shtesë në rritjen e tarifave.
Disa nga rekomandimet e dala nga ky hulumtim kanë të bëjnë me raportim më të rregullt dhe më të detajuar nga ndërmarrjet energjetike, konsultime më gjithëpërfshirëse, e përfshirje aktive të konsumatorëve në çdo fazë të procesit.