​Opozita e akuzon për keqpërdorime, ministri Vitia fton Prokurorinë për hetime

Për më shumë se tri orë ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka raportuar para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Teksa para anëtarëve të këtij Komisioni prezantoi punët që janë bërë në këtë sektor, Vitia u ballafaqua edhe me akuza nga opozita.

Duke elaboruar hapat që kanë ndërmarrë në sektorin e shëndetësisë, ministri Vitia tha se ligji për unifikimin e barnave është drejt zbatimit.

“Pas hyrjes në fuqi në gusht të ligjit për përcaktimin e çmimit të barnave përkundër shumë sfidave ky ligj është në rrugë të mirë për të nisur zbatimin e plotë duke e ditur se kjo është një nga çështjet më të rëndësishme në reformën në shëndetësi dhe duke e ditur se një proces i tillë po bëhet për herë të parë në vendin tonë”, u shpreh Vitia.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj u shpreh se sot temë diskutimi në këtë Komision do të duhej të ishte reforma gjithëpërfshirëse, por sipas tij ende nuk ka ligj për shëndetësi, e madje edhe shumica e ligjeve janë vetëm në debatet e brendshme por jo edhe në Kuvend.

Sa i takon ligjit për sigurime shëndetësore, Zemaj e konsideroi si një ligj me shumë defekte dhe i përgatitur për fushatë zgjedhore. Ai tha se ministri Vitia nuk përmendi asgjë gjatë raportimit të tij mbi Sistemin Informativ Shëndetësor.

“Te pjesa e barnave është histori e veçantë ligji për çmimit tavat për produkte medicinale i kemi dhënë përkrahje, ligjit është shkelur nuk janë respektuar afatet kohore është miratuar një listë me të meta dhe kundërthënie të mëdha, është anuluar lista, është thënë se na duhen dy javë kohë për t’i përmirësuar…Sot akoma nuk është në fuqi, nuk e di tutje si do të jetë po fatkeqësisht nuk është në fuqi, po është rritur buxheti për barnat po pse ka mungesë të barnave sepse ka blerje deri në 400 për qind më shtrenjtë… Resurset humane janë njolla më e keqe e këtij mandati qeverisës, katër drejtorë të SHSKUK-së, drejtorë të klinikave të ngarkuara të shkarkuar, dhënie dorëheqje, drejtorë të spitaleve rajonale të emëruar të larguar, të emëruar e të ri-larguar. Nuk e përmendet spitalin e Ferizajt nga viti 2018 miliona të shpenzuar kush ka nënshkruar kush e ka dhënë tenderin, kush është mbikëqyrës i tenderit, këtu dikush duhet të jep përgjegjësi”, tha ai.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj u interesua të di më shumë për ligjin për unifikimin e çmimit të medikamenteve.

“Çka është duke u bërë me ligjin për vendosjen e çmimeve tavan…Ministër, ne duhet të flasim hapur, ata të cilët e kanë prolonguar procesin sot kanë ose janë prapa kompanive farmaceutike që janë thirrur në ekspertiza. Njeriu, i cili ka qenë kryetar i farmacisë, sot ka shkuar gjoja se iu janë falur 10% të aksioneve e ajo kompani merr miliona pikërisht nga futja e këtyre gjërave. Ti je për t’i ndalur këto. Zëvendësja shkon shefe e depos farmaceutike, një nga këshilltarët tuaj shkon në një kompaninë më të fortë. Këto tema duhet t’i flasim publikisht, nuk është marre”, tha ai.

Akuzat e Zemajt i hodhi poshtë ministri Vitia, duke thënë se asnjë këshilltar i tij nuk është i përfshirë në kompani farmaceutike. Sa i takon ligjit për sigurime shëndetësore, Vitia tha se kanë bërë ndryshime drastike.

“Kushdo që është nga këshilltarët e mi tani kjo është informatë absolutisht jo e saktë, asnjë nga këshilltarët e mi nuk është në asnjë kompani farmaceutike. Zemaj: Për ish-këshilltar që ka qenë për listën e barnave goxha i fuqishëm në ministri. Vitia: Nëse e keni fjalën për zotërinë Uka, absolutisht nuk ka qenë i rëndësishëm në pjesën e barnave, ka qenë i rëndësishëm në pjesë tjera sidomos në shëndetin publik. Kompania në fjalë është një kompani që ka fituar miliona kur kenë qenë edhe ju ministër, ku ka qenë edhe PDK që ka pasur ministra që kanë fituar dhe kur ka qenë edhe AAK që e ka qeverisur vendin me kryeministër. Ajo kompani nuk është bërë te ne”, theksoi ai.

Ndërsa, për Spitalin e Ferizajt ministri Vitia tha se të gjitha shkeljet që i kanë evidentuar te ky projekt tashmë i kanë adresuar në Prokurorinë e Shtetit dhe tani është në dorën e drejtësisë kjo çështje.

“Ju thatë çka keni bërë kjo është pyetje jo për mua unë tregova se kjo lëndë është dërguar tek organet përgjegjëse të drejtësisë nëse ata nuk ndërmarrin kurrgjë për besë unë nuk di çka ndërmarrë, unë as nuk janë prokuror e as gjykatës as asgjë për mua ka qenë se e kam identifikuar problemin”, theksoi ai.

Kritika e akuza të shumta karshi qeverisjes me shëndetësinë pati edhe deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu.

Sipas tij, kjo ministri për katër vjet nuk ka arritur ta hartojë një strategji sektoriale për shëndetësi, ndërsa theksoi se janë bërë abuzime e keqpërdorime me barna, e zhvatje milionëshe në blerje të aparaturave dhe rinovimeve të klinikave.

“Dështimi për hartimin e strategjisë për shëndetësi si është e mundur pas katër viteve të qeverisjes tuaj për plotë 1370 ditë të punës tuaj si ministër nuk keni qenë në gjendje të hartimit të një strategjie. Dështim në implementimin e sigurimeve shëndetësore, dështim në implementim dhe finalizimit të SISH-it. Keqpërdorime, zhvatje milionëshe në blerje të aparaturave dhe rinovime e fasadime. Problemi i ikjes së personelit shëndetësor nuk mund të trajtohet në këtë formë duke thënë se kemi më shumë tani duke na u kthyer sesa duke na ikur. Mund të themi çka të doni, por edhe mjekët e profesionistët e qytetarët e dinë… abuzime e keqpërdorime me barna, të cilët mund ta vlerësojmë krim të organizuar për të mos e quajtur mafia farmaceutike”, tha ai.

Sa i takon investimeve në klinikat e QKUK-së sipas deputetit të PDK-së janë bërë zhvatje të buxhetit me çmime abuzive deri në 3200% më shtrenjtë.

“Kemi të bëjmë me zhvatje të buxhetit, konflikt të pastër të buxhetit, kompania që ka fituar çmimet abuzive prej 200% ma shtrenjtë se çmimet e tregut e deri 3200% më shtrenjtë se çmimet e tregut do t’i jap me fakte, na rezulton se kompania fituese ‘AGI Project’ dhe En group dhe Shkëmbi kanë fituar kontratën në gjinekologji dhe janë në pronësi të Bajram Beqiraj inxhinier në MASHT. Edhe unë kërkoj nga prokuroria t’i hetoj këto kontrata, ndoshta ministër edhe i keni parë këto, sepse kontrata me operatorë ekonomikë nuk është e nënshkruar nga ju, por prej sekretarit”, theksoi ai.

Para deputetëve, ministri Vitia theksoi se mafia farmaceutike për të cilët po hedhin dyshime opozita ato si kompani janë etabluar gjatë qeverisjeve të kaluara.

Lidhur me hartimin e strategjisë sektoriale për shëndetësi, Vitia tha se nuk do të bëjë strategji për ta vendosur në raftet e MSH-së ashtu siç ka ndodhur me strategjitë e bëra nga ministrat e kaluar.

“Ne nuk bëjmë fasadime, por bëjmë rinovime na bëjmë transformime dhe t’u kisha lutur ta lexosh fjalorin e gjuhës shqipe e ta shikosh çka është fasadim e çka transformim… Asnjë kompani, që ju thoni, nuk është bërë në kohën kur unë jam ministër dhe kanë fituar miliona. Të gjitha këto kompani që ju po i quani kriminale, mafia farmaceutike janë formuar komplet në mandatet juaj zotëri Haxhiu dhe në mandatet e juaja kanë filluar të bëhen të punohen. Haxhiu: Pse iu jep punë, pse je lidhur me ta a të ka lidhur Naimi apo je lidhur vetë…Vitia: Të gjitha këto abuzime që po thoni që janë bërë me barna e nëse e quani mafia farmaceutike po qenka etabluar në kohën tuaj, por tash me ligjet përkatëse jemi duke i goditur”, theksoi ai.

Ndërsa, për të gjitha akuzat sidomos për akuzat për abuzim me barna e me blerjet e aparaturës dhe kontratat për rinovime ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ftoi Prokurorinë e Shtetit të merret me këto akuza.

“Krejt dërgoni te Prokuroria edhe unë i bëjë ftesë Prokurorisë që sa më shpejt të fillojnë me hulumtimin dhe hetimin e secilës lëndë pa përjashtim që ta shohim që ndoshta edhe ndonjë lidhje familjare që mund të del që ju po pretendoni e mund të del nga diku tjetër”, tha ai.

Gjatë raportimit para Komisionit për Shëndetësi e Mirëqenie Sociale, kreu i shëndetësisë kosovare tha se kanë proceduar 4 ligje dhe 20 akte nënligjore. Ai tha se tashmë lista e pritjes për rezonancë magnetike është zvogëluar në 4 deri në 6 javë. /kp

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA