Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guerot ka folur edhe një herë mbi raportimet për mundësinë e pezullimit të vizave.
Ai ripërsëriti fjalët e presidentit francez, Emmanuel Macron në një konferencë për media, duke thënë se ai kërkoi përgjegjësi nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“…Pikërisht në këtë kontekst ai ngriti edhe çështjen e liberalizimit të vizave, i cili ishte një gjest besimi, por që në këtë fazë nuk ishte reciprok. Prandaj ai priste që autoritetet kosovare, sikurse edhe autoritetet serbe, të respektojnë fjalën e dhënë dhe të angazhohen për të ecur përpara në javët e ardhshme.” – ka thënë ai.
Guerot u pyet sërish se a mund të sigurojë se qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza pas 1 janarit 2024, duke u përgjigjur se do të ishte rrezik të mos dëgjohet mesazhi politik.
“Në këtë fazë, përgatitjet teknike për liberalizimin e vizave më 1 janar po vazhdojnë, por do të ishte me rrezik të mos dëgjohet mesazhi politik i presidentit që sapo përkujtova.” – u shpreh ai për Kohën.