Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, ka dëshmuar dëshmitari i 30-të i Prokurorisë me kodin W04769.
Sipas përmbledhjes së lexuar në gjykatë, dëshmitari është ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dëshmia e të cilit, ndër të tjera, ka të bëjë me strukturën komanduese të UÇK-së në Shqipëri dhe në zonën e Pashtrikut.
Këtë dëshmitar, ka filluar ta marrë në pyetje prokurori special, Matt Halling, i cili e ka pyetur lidhur me një intervistë të cilën ai e ka dhënë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe për disa plotësim-ndryshime të saj që janë bërë.
Kjo është konfirmuar edhe nga dëshmitari i 30-të, i cili është i mbrojtur, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas kësaj, prokurori Halling ka kërkuar nga trupi gjykues që kjo intervistë dhe dokumentet përcjellëse të pranohen si prova materiale.“Të nderuar gjykatës, pasi kemi përmbushur kriteret e rregullës 154 dhe në përputhje me vendimin F01700, ZPS-ja kërkon që të regjistrohen në prova materiale të gjithë pjesët e intervistës së ZPS-së dhe shënimi përgatitor 1 që është dokumenti me ERN 116066 dhe 116071 gjithashtu kërkojmë që të pranohen prova materiale edhe dokumentet shoqëruese në intervistë”, tha prokurori Halling.
Paraprakisht, pasi u vendos që dëshmitari i 29-të ta vazhdojë dëshminë të hënën, trupi gjykues konfirmoi se një dëshmitar tjetër është i gatshëm të ofrojë dëshminë e tij.
Mirëpo, mbrojtja kërkoi që për kundërpyetjet që do ia drejtojnë dëshmitarit të 30-të duhet të përgatiten deri të hënën, përveç avokatit mbrojtës të Kadri Vesilit, Ben Emmerson, i cili tha se është i gatshëm të enjten në mëngjes.
Prokuroria ka vlerësuar që i duhen dy orë për ta marrë në pyetje, ndërsa vlerësimet e mbrojtjes kanë qenë në mënyrë të përgjithshme që i duhen 13 orë për ta marrë në pyetje këtë dëshmitar.