Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, deklaroi sot (e premte) se zhvillimet e fundit në Kosovë kanë konfirmuar se situata në vend mbetet e paqëndrueshme dhe se lehtë mund të përshkallëzohet.
Në konferencën që për media në prag të përfundimit të mandatit të tij, Ristuccia tha se ngjarjet që kanë ndodhur në veri kanë kërkuar përpjekje të mëdha ushtarake dhe diplomatike për të rivendosur qetësi.
Ndërsa agresionin e Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator, komandanti i KFOR-it e quajti “sulm i dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës”.
“Gjatë gjithë këtij viti u bënë punë të palodhura dhe përpjekje të mëdha dhe u përballëm me shumë vështirësi; çështja e targave, dorëheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës, organizimi i zgjedhjeve komunale në veri të Kosovës, bllokimet e rrugëve,… sulmet krejtësisht të pajustifikuara kundër personelit të KFOR-it më 29 maj, ngjarjet e qershorit… dhe sulmi i fundit i dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator janë vetëm disa shembuj të kësaj. Të gjitha këto ngjarje konfirmuan se situata mbetet e paqëndrueshme dhe lehtë mund të përshkallëzohet. Në vazhdën e zhvillimeve të fundit KFOR-i ka rritur praninë dhe aktivitetin e tij në veri të Kosovës, dhe ka autorizuar vendosjen e forcave shtesë për të adresuar situatën”, tha ai.