Blerja e librave e teksteve shkollore veçse ka filluar. Ekonomia Online të mërkurën ka qëndruar në njërën prej librarive në Kryeqytet, për të parë nga afër procesin e blerjes së librave nga prindërit.
Për t’u pajisur me libra ishte edhe Albana Bajrami, nënë e tre fëmijëve, dy prej të cilëve akoma i ka në shkollë fillore.
Ajo për Ekonomia Online tha se për momentin i ka marrë vetëm disa nga librat për njërin fëmijë, ngase akoma nuk e di se cilët libra do i duhen për fëmijën tjetër.
Ajo nuk ishte në dijeni për koston e këtyre librave, teksa tregoi edhe për vështirësitë për aplikim për rimbursim.
“Unë deri tani i bleva një palë libra, jo të gjitha, për klasën e dytë. I kam dy fëmijë në shkollën fillore. Të njërit fëmijë nuk i kam blerë ende librat, pasi presim nga kujdestarët e klasave që të na dërgojnë listën se në cilat shtëpi botuese do t’i blejnë ndërsa për klasën e dytë deri tani janë bërë 35.52 euro, që do të thotë që do të blejnë libra të tjerë në një shtëpi tjetër botuese deri tani i bleva në atë ‘Dukagjini’, në shtëpinë ‘Albas’ do t’i blej të tjerat, nuk e di sa do të kushtojnë që t’i kompletoj të gjithë librat për klasën e dytë”, u shpreh ajo.
“Si çmime deri tani nuk e di çfarë të them se ngaqë i kemi marrë gjithmonë falas nuk mund ta di se si do të jenë të tjerat, por po shpresoj që t’i mbuloj edhe kostoja që thuhet se do t’i dërgoj Ministria e Arsimit. E bëra aplikimin, ende nuk kam ndonjë përgjigje por si aplikim e kam bërë për njërin fëmijë, për tjetrin nuk kam mundur ta bëjë”, u shpreh ajo.
Sa i përket aplikimit, Bajrami tha se aplikimi në platformën “E-Kosova” nuk ka qenë edhe aq i shpejt e që për të kryer një aplikim të plotë i ishte dashur të hynte disa herë.
Shkaku i vështirësive në këtë platformë, Bajrami tha se nuk ka arritur të rimbursohet.
“Më është kthyer përgjigjja se keni bërë një aplikim, prisni edhe pak, se kur duhet ta bëjë tjetrin, të shohim njëherë, duhet të provoj. Nuk është shumë vështirë për të aplikuar por ishte pak si proces i ngadalshëm, ndoshta rrjeti i dobët, u desh dy, tre herë të futesh në proces për të bërë një aplikim të plotë”, tha Bajrami.
E një nxënëse prishtinase e cila është në shkollë fillore, tha se akoma nuk i ka blerë dy libra duke shtuar se viteve të tjera librat i kanë marrë në shkollë.
“Në këtë vit i kemi blerë librat vetë. Kam nevojë t’i blej edhe dy libra, ato janë art figurativ dhe edukatë fizike. Viteve të tjera i kemi marrë në shkollë”.
Ekonomia Online ka biseduar me menaxherin shtëpisë botuese “Dukagjini”, Blerim Muhaxhiri. Ai tha se si shtëpi botuese kanë furnizim të mjaftueshëm për të gjitha libraritë dhe se një gjë të tillë e kanë bërë, sa i përket furnizimit me tekste shkollore të cilat i boton kjo shtëpi botuese.
“Mund të themi se jo vetëm në rajonin e Prishtinës por në të gjithë Republikën e Kosovës të gjitha libraritë ku ndodhen i kemi furnizuar me të gjitha tekstet e shtëpisë botuese ‘Dukagjini’ dhe asnjë librari ose edhe ne si shtëpi botuese nuk kemi asnjë mungesë të asnjë teksti, përpos kësaj si librari, këtu në qendër në sheshin ‘Nëna Terezë’, te ‘Dukagjini Center’ ku e kemi hapur një pikë ambulative për t’u shërbyer sa më shpejt prindërit me tekste shkollore, tek pika tjetër në ‘Prishtina Mall’, në të gjitha pikat nuk ka asnjë mungesë të teksteve shkollore sa i përket shtëpisë botuese ‘Dukagjini’, ndërsa kemi bërë ftesë edhe prej shtëpive të tjera botuese edhe për të na furnizuar tre pika të librarisë ‘Dukagjini’ me të gjitha tekstet, disa kanë sjellur furnizim por të paktë”, u shpreh ai.