Albi Mall Superliga e Kosovës rikthehet sot (e mërkurë) me dy përballje të tjera në kuadër të xhiros së nëntë, ku skuadrat do të synojnë rezultate pozitive për të përmirësuar pozitat e tyre në tabelë.
Xhiroja e nëntë nisi të martën me dy ndeshje, ku Drita triumfoi 1-0 në udhëtim ndaj Ballkanit, ndërsa Gjilani regjistroi fitore bindëse 3-0 kundër Drenicës.
Vëmendja sot do të jetë te dy duelet e radhës, të cilat pritet të sjellin rivalitet dhe emocione në garën elitare të futbollit kosovar.
Në ndeshjen e parë, Feronikeli ’74 do të përballet me Llapin në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas. Skuadra vendase vjen në këtë takim pas barazimit 2-2 ndaj Drenicës në Skenderaj, ndërsa llapjanët synojnë të ndërpresin serinë negative prej tri humbjesh radhazi. Humbja e fundit e Llapit ishte ajo 1-0 ndaj Ballkanit në Suharekë.
Përballja tjetër do të zhvillohet në Klinë, ku Dukagjini do të jetë nikoqir i Vushtrrisë. Mysafirët udhëtojnë me moral më të lartë pas fitores së parë të këtij edicioni, të arritur në xhiron e kaluar me rezultat 1-0 ndaj Gjilanit.
Në anën tjetër, Dukagjini do të kërkojë të shfrytëzojë faktorin vendas për të marrë pikë të rëndësishme në vazhdim të kampionatit.
Të dyja ndeshjet e sotme janë planifikuar të nisin në orën 14:00, duke e plotësuar programin e ditës në elitën e futbollit kosovar.





