Singapori ka nisur një lëvizje të re kombëtare që synon të forcojë kulturën e leximit, duke i nxitur qytetarët të lexojnë të paktën 15 minuta çdo ditë. Nisma pesëvjeçare, e quajtur “ReadSG”, u lansua më 6 shtator nga National Library Board (NLB).
Një nga programet kryesore është “ReadSG Challenge”, përmes së cilës pjesëmarrësit mund të regjistrojnë kohën e përditshme të leximit, të vendosin objektiva personale dhe të fitojnë shpërblime virtuale. Platforma përfshin edhe seri ditore leximi, pikë eksperience dhe monedha virtuale që mund të përdoren për shpërblime.
Sfida do të pilotohet nga 6 shtatori deri më 31 dhjetor, ndërsa veçori të reja pritet të shtohen në bazë të reagimeve të përdoruesve. NLB synon që deri në shtator 2027, në këtë sfidë të marrin pjesë rreth 150 mijë persona.
Presidenti i Singaporit, Tharman Shanmugaratnam, i cili është patron i “ReadSG”, mori pjesë në ceremoninë e lançimit në National Library Building në Bugis. Duke shpjeguar vendimin për ta mbështetur lëvizjen për pesë vjet, ai theksoi se krijimi i zakoneve kërkon kohë.
“Pesë vjet në fakt nuk janë shumë gjatë, por shpresojmë që pas pesë vitesh të shohim diçka ndryshe në zakonet tona”, tha ai.
Sipas NLB-së, qëllimi i “ReadSG” është të ndihmojë qytetarët të ndërtojnë zakone të qëndrueshme leximi përmes hapave të vegjël dhe të arritshëm. Drejtoresha ekzekutive e institucionit, Melissa Tam, tha se nisma vjen në një kohë kur njerëzit kanë qasje në një sasi të jashtëzakonshme informacioni dhe përmbajtjeje, por mund të kenë më pak kohë për t’u përqendruar thellësisht në atë që lexojnë.
Ajo vuri në dukje se leximi i rregullt i teksteve të gjata ndihmon në zhvillimin e mendimit kritik, imagjinatës, empatisë dhe përqendrimit.
“Zakonet ndërtohen përmes veprimeve të vogla dhe të qëndrueshme. Prandaj, po fillojmë me një objektiv të thjeshtë – vetëm 15 minuta lexim në ditë. Në autobus, para gjumit ose gjatë drekës”, tha Tam.
Një tjetër nismë e “ReadSG”, “Get It Now”, do t’u mundësojë përdoruesve të Libby-t të lexojnë një titull të përzgjedhur pa radhë pritjeje, të premten e parë të çdo muaji deri në mars 2027.
Lëvizja përkon edhe me fillimin e “National Reading Month”, që do të zhvillohet çdo shtator dhe do të sjellë aktivitete të ndryshme të lidhura me librin në bibliotekat e Singaporit.
Leximi i regjistruar gjatë muajit shtator do të kontribuojë gjithashtu në fushatën bamirëse “Read for Good”. Nisma synon që gjatë vitit 2026 të arrijë 7.5 milionë minuta leximi dhe të mbledhë deri në 150 mijë dollarë për komunitetet në nevojë.
Nga 6 shtatori deri më 7 tetor, çdo 15 minuta lexim i regjistruar në ditë do të kontribuojë në këtë përpjekje. NLB synon që fondet të ndihmojnë rreth 10 mijë persona përmes mbështetjes për fëmijët dhe komunitetet më pak të privilegjuara, duke siguruar materiale leximi dhe mësimi, si dhe libra të dhuruar nga sponsorët.
“ReadSG” mbështetet nga më shumë se 40 partnerë dhe përfaqësues të institucioneve, përfshirë agjenci shtetërore, Ministrinë e Arsimit, Këshillin Kombëtar të Arteve, Shoqatën e Botuesve të Librit të Singaporit, SPH Media dhe Mediacorp.
Lëvizja synon të përfshijë të gjitha grupmoshat. Për fëmijët, institucionet theksojnë rëndësinë e leximit të hershëm për zhvillimin e vëmendjes, kureshtjes dhe imagjinatës, ndërsa për të moshuarit parashikohet përfshirje përmes qendrave të ndryshme të aktivitetit dhe plakjes aktive.
Mes aktiviteteve të tjera të “ReadSG” janë “Readers Assemble: A Marvel Festival”, “Time of Your Life Celebration” dhe “A Book A Day”.
“Kjo është një lëvizje kombëtare shumëvjeçare për leximin dhe ne po mendojmë afatgjatë. Jo vetëm për librin e parë që dikush zgjedh, por për atë se si do të duket jeta pesë vjet më vonë, kur leximi të jetë bërë një pjesë e natyrshme dhe domethënëse e përditshmërisë”, tha Tam.





