Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se rendi kushtetues i Kosovës ka rënë, duke kërkuar nga kryesuesi i Kuvendit sipas moshës, Avni Dehari, që të caktojë seancën e re konstituive.
Hoxhaj e ka cilësuar si absurde situatën aktuale politike në vend, duke theksuar se institucionet, sipas tij, janë bllokuar për një periudhë të paprecedentë.
“Çka po ndodhë në këtë vend është absurde dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kosovës. Ne kemi pasur zgjedhje në shkurt, në dhjetor, në qershor. Kemi pasë tri palë zgjedhje nacionale. Asnjëherë nuk ka ndodhur që dikush 18 muaj e 5 ditë t’i bllokojë institucionet”, tha Hoxhaj.
Ai ka bërë të ditur se PDK do t’i drejtojë sërish kërkesë Avni Deharit për mbajtjen e seancës konstituive brenda 48 orësh.
Hoxhaj paralajmëroi gjithashtu se PDK do ta zhvendosë aktivitetin e saj edhe jashtë Kuvendit, përmes formave më të gjera të mobilizimit politik, demokratik dhe qytetar.





