Kalimi i mundshëm i Mirlind Dakut te Spartak Moska ka ngjallur polemika të mëdha në Rusi, madje ende pa u zyrtarizuar marrëveshja mes palëve.
Grupi ultras i Spartakut, “Crazy North”, ka reaguar publikisht kundër transferimit të sulmuesit të Rubin Kazanit, duke publikuar në rrjetet sociale një deklaratë dhe një pankartë me mesazhe fyese të drejtuara ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve.
Në postimin e publikuar në kanalin e tyre në Telegram, tifozët shprehin kundërshtimin e plotë ndaj afrimit të Dakut, duke deklaruar se mbështesin popullin serb dhe duke përdorur gjuhë denigruese ndaj shqiptarëve dhe kosovarëve.
Reagimi i tyre u shoqërua edhe me një pankartë që përmbante një mesazh ofendues kundër shqiptarëve, duke shkaktuar reagime të shumta në opinion.
Megjithatë, kundërshtimi i një pjese të tifozëve nuk pritet ta pengojë realizimin e transferimit. Sipas raportimeve të mediave ruse, Spartak Moska dhe Mirlind Daku kanë arritur marrëveshje për kushtet personale, ndërsa zyrtarizimi i transferimit pritet të ndodhë në ditët në vijim.
Sulmuesi 28-vjeçar pritet t’i japë fund aventurës së tij te Rubin Kazan, ku kaloi një periudhë shumë të suksesshme. Gjatë qëndrimit me klubin rus, Daku zhvilloi 93 ndeshje dhe realizoi 38 gola, duke u konfirmuar si një nga sulmuesit më efikas të kampionatit rus.





